Nëse jeni të apasionuar pas udhëtimeve me tren, jeni në artikullin e duhur!

vovalbania February 13, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Nëse jeni të apasionuar pas udhëtimeve me tren, jeni në artikullin e duhur!

Linja hekurudhore që lidh kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, me qytetin piktoresk, Bergen, konsiderohet një nga udhëtimet më të bukura me tren në botë. Në nisje të këtij rrugëtimi, 496 km të gjatë dhe me 39 stacione, shfaqen pamjet e para fantastike duke nisur nga shtëpitë elegante prej druri që ngrihen në kodra, muzetë ku ekspozohet historia epike vikinge dhe fjordet magjike norvegjeze. Pas kësaj, treni ndryshon papritur drejtimin, duke shpejtuar drejt veriut e duke lënë pas peisazhet e perëndimit.

Në këtë pikë, panorama bëhet akoma edhe më mbresëlënëse. Kodra më të larta, livadhe të egra alpine, ultësira të mbuluara nga pishat, lugina të thella me fshatra të vegjël dhe ferma të vetmuara në rrëzë të humnerave. Dalëngadalë, treni ul shpejtësinë dhe pasagjerët kuptojnë se po hyjnë në një rrugë me lartësi të konsiderueshme. Më pas, hekurudha kalon në një tunel për të dalë përballë një pllaje të madhe malore, mbuluar me dëborë.

Treni në këtë pikë ndodhet në majë të rrafshnaltës më të madhe të Evropës të quajtur Hardangervidda, e cila mbulon afro 6500 km katrorë dhe ka një lartësi mesatare më shumë se 1 km mbi nivelin e detit. Kjo është hekurudha më e lartë në Evropën Veriore dhe një mrekulli e vërtetë inxhinierike. Udhëtimi me këtë tren nga Oslo në Bergen, zgjat gjashtë orë e gjysmë.

Puna për ndërtimin e kësaj linje filloi në vitin 1875 dhe deri në vitin 1909 u përfunduan 39 stacionet e saj, të lidhura me një shteg gjarpëror nëpër disa nga peisazhet më sfiduese që mund të imagjinoni. Këto relieve jo gjithmonë janë mikpritëse, pasi ndryshimet e papritura të motit, përbëjnë një sfidë më vete. Për këtë arsye janë ndërtuar 180 tunele, 1 tunel për çdo 2.75 km rrugë.

Sapo kalon rrafshnaltën Hardangervidda dhe vendin e skive “Geilo”, treni nis zbritjen në qytetin Voss. Bora nis e largohet, toka bëhet e gjelbër, ndërsa lumenjtë, liqenet dhe fjordet bëhen më të qarta dhe blu. Pas kësaj zone, treni endet midis shtatë kodrave dhe shtatë fjordeve për të arritur më pas në qytetin Bergen.

Ky është dhe stacioni i fundit i një udhëtimi që zbulon thuajse të gjitha bukuritë natyrore dhe arkitekturore të Norvegjisë. Europa është shtëpia e një rrjeti të madh hekurudhor, që mundësojnë udhëtime vërtet spektakolare, të cilat mund të konsiderohen pushime në vetvete. ‘CNN Travel’ rendit 10 nga udhëtimet më të bukura me tren që mund të përjetoni në Europë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49277 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE