Kosova 15 vjet shtet! Rrugëtimi drejt pavarësisë!

vovalbania February 17, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kosova 15 vjet shtet! Rrugëtimi drejt pavarësisë!

17 shkurt 2008! Ora 15:39 shënoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës nga Kuvendi në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga 120 deputetë, u bë deklarimi i Kosovës shtet i pavarur, sovran e demokratik. Duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, Serbia kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, me pretendimin se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte e ligjshme.

Në tetor 2008, Beogradi kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që më 22 korrik 2010 rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët. Për vite me radhë vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, çka çoi në një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të luftës, në Kosovë u vendosën trupat paqeruajtëse ndërkombëtare.

Prej 13 qershorit 1999 kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosovës: Kuvendi, Presidenti e Qeveria.

Edhe pse Serbia nuk kishte më kontrollin, në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në nëntor 2005, zyrtarisht nisi procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Më 2 shkurt 2007, i dërguari special ndërkombëtar për statusin, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë e Beograd për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008.

Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent pasditen e 17 shkurtit 2008. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar që palët “të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrezikojë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”.

Pak para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Europian miratoi vendosjen e një misioni joushtarak 2 mijë anëtarësh për Sundimin e Ligjit, “EULEX”, për policinë dhe drejtësinë në Kosovë. Vendet anëtare të Unionit miratuan mandatin e EULEX-it, përfshirë pesë shtetet që ende nuk e njohin pavarësinë. Ato janë Spanja, Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48643 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE