FOTOT/ Vrau për hakmarrje, zbulohet pse Habib Rexha qëlloi me dorën e majtë dhe “kujtesa” për vëllain e vdekur
Habib Rexha, 31 vjeç është në arrati pas vrasjes së Arjan Gosës. 31-vjeçari po kërkohet nga policia, pas ekzekutimit me një plumb në ballë të 48-vjeçarit Arjan Gosa, i cili po pinte një kafe me babain e tij në lokal. Habibi e organizoi vetëm vrasjen dhe largimin nga vendngjarja. Ai e qëlloi viktimën me dorën e majtë, pasi siç shihet në foto, dora e tij e djathtë është e dëmtuar.
Vrasja që ka si pistë kryesore hakmarrjen pas vrasjes së muajit mars ku Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njër-tjetrin, vazhdon të thellojë konfliktin mes dy familjeve. Habib Rexha e kishte menduar më së miri edhe mënyrën sesi do të merrte hak. Njësoj siç Arjan Gosa u vra në sy të të atit, edhe Altin Rexha kishte djalin në dorë, kur Edmond Gosa e vrau. Osman Gosa, një baba pa të dy djemtë nuk ka mundur dot të japë një dëshmi para grupit hetimor.
Vrasja ndodhi pasditen e djeshme në një lokal në Kavajë, ku Habib Rexha vrau me një plumb në ballë 48-vjeçarin Arian Gosa, i cili ishte duke pirë kafe me babanë e tij. Habibi është vëllai i Altin Rexhës, viktimë e vrasjes me dy viktima në 29 mars 2023. Konflikti banal i fundmarsit pati dy viktima Edmond alias Armand Gosa dhe Altin alias Sali Rexha. Një sherr banal për “pse më sheh ashtu” nga ana e Edmond Gosës acaroi Altin Rexhën. Ky i fundit mori një thikë dhe e plagosi. Në këtë moment, Gosa u përgjigj me armë duke e lënë të vdekur. Gosa janë një mbiemër i “fortë” në Kavajë. Por edhe pse ngjarja ka 2 muaj që ka ndodhur, Policia nuk arriti dot të shmangë hakmarrjen mes dy fiseve.