Zgjedhjet në Rrogozhinë, Berisha: Vota e lirë kthehet vetëm me protesta

vovalbania July 24, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet në Rrogozhinë, Berisha: Vota e lirë kthehet vetëm me protesta

Pasi kontestoi zgjedhjet e 14 majit, Sali Berisha nuk pranon as rezultatin e zgjedhjeve të përsëritura dje në Rrogozhinë, që i dhanë fitoren PS. Në një prononcim për mediat sot, Berisha thotë se kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Shkëlqim Hoxha, iu rrëmbye mandati në mënyrë kriminale dhe antiligjore.

Sipas Berishës janë kontestuar manipulime të hapëta, fletë votimi të përgatitura paraprakisht, fotografim i fletëve të votimit në qendrën e votimit, votime në grupe si dhe votime familjare.

“U mbyll në Rrogozhinë në mënyrën më kriminale, pasi mandati që ia dhanë qytetarët e Rrogozhinës, kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’, Shkëlqim Hoxha, ia rrëmbyen në mënyrë kriminale dhe antiligjore, institucionet e farsës elektorale. Ia rrëmbyen pasi rezultati ishte përmbysur nga qendra e paligjshme e ngritur në burgun e Rrogozhinës, qendër të cilën, institucionet e farsës elektorale, e përjashtuan nga gara elektorale, por përsëri nuk shpallën me urdhër të partisë, fitues zotin Shkëlqim Hoxha.

Shkelmuan në mënyrë të padenjë, antiligjore, votën e qytetarëve të Rrogozhinës dhe urdhëruan një proces të ri zgjedhor, në të cilin unë ju them këtu se u manifestuan të gjitha fenomenet më të shëmtuara antiligjore të farsës së majit 2023. Në rezultatin e mbrëmshëm, qëndron një terror i paparë i ushtruar për një muaj rresht ndaj qytetarëve, ndaj biznesmenëve, ndaj zgjedhësve të Rrogozhinës.

Një terror i të gjitha formave, fiskal, fizik e të tjera. Në farsën elektorale u konstatuan manipulime të hapëta, fletë votimi të përgatitura paraprakisht, fotografim i fletëve të votimit në qendrën e votimit, votime në grupe, votime familjare, të gjitha format e shëmtuara.

E gjithë kjo farsë u drejtua nga Erion Veliaj, i cili në përfundim të saj, pranoi se shqiptarët nuk na duan. Pranoi se fituan, jo se na duan.

Natyrisht, të mendosh se shtohen votat kur pas skandaleve të tmerrshme si ajo e klanit Rraja, pas skandaleve seksuale të zyrtarëve, të mendosh se shtohen votat pas arratisjes së shekullit, të mendosh se shtohen votat pas shpërthimit të ri të gjirizeve të rinj të aferës më të tmerrshme korruptive, asaj të djegësve, do të thotë të jesh me një koeficient intelektual afër zeros.

Dhe Veliaj nuk bie në këtë pozitë, e thotë haptas me porosi të Ramës, se fituam jo se na duan, por se nuk duan Sali Berishën.

Pra, përsëri i ka tmerrin Berishës. Dhe në fakt, këtu kanë të drejtë sepse PD opozitë e vërtetë, po u bën autopsinë kësaj kalbësire, po i bën autopsinë këtij regjimi të kalbur dhe po u tregon shqiptarëve se vota në Shqipëri ka vdekur dhe se rruga e vetme për të rikthyer lirinë, votën e lirë, është përballja me protesta të fuqishme me këtë bandë që drejton sot me metodat më mafioze, Shqipërinë dhe shqiptarët.”-tha Berisha

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50930 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE