Mashtronin grekë e italianë për investim në bursa, 6 të arrestuar/ Administratori i një Call Center-i në kërkim!

vovalbania August 02, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Mashtronin grekë e italianë për investim në bursa, 6 të arrestuar/ Administratori i një Call Center-i në kërkim!

Zbulohet një call center i paligjshëm, i përshtatur në katin e dytë të një objekti në zonën e Selitës në Tiranë. Gjashtë persona u arrestuan, ndërsa një i shtatë u shpall në kërkim. Operacioni i koduar “Selita Center” bllokoi 110 kompjuterë. U konstatuan 56 punonjës në detyrë, të dyshuar se mashtronin qytetarë italianë dhe grekë. Ndaj të arrestuarve, akuzat janë për punësim të paligjshëm, mashtrim kompjuterik, pastrim parash, fshehje të ardhurash e mashtrim me pasoja të rënda.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Selita Center”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Zbulohet një subjekt ekonomik (firmë) që ishte përshtatur si call center.

Arrestohen në flagrancë 6 shtetas të punësuar në këtë subjekt (mes tyre përgjegjësi i firmës dhe shefja e personelit).

Shpallet në kërkim administratori i këtij subjekti.

Gjatë operacionit, në ambientet e këtij subjekti, Policia ka gjetur 53 operatorë të cilët mashtronin shtetas të huaj, kryesisht italianë dhe grekë, që të investonin para në tregje fiktive.

Sekuestrohen 101 kompjuterë, 2 laptopë, 1 DVR dhe 10 celularë, që u gjetën në ambientet e call center-it. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomike dhe Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të mashtrimit kompjuterik, në një subjekt privat, në Selitë, Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Selita Center”.

Gjatë këtij operacioni, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në ambientet e këtij subjekti privat (firmë), ku kanë konstatuar disa shtetas që kryenin veprimtarinë e paligjshme të mashtrimit kompjuterik përmes call center-it.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. M., 35 vjeç, me detyrë përgjegjës i firmës, P. R., 29 vjeçe, me detyrë shefe e personelit të firmës, D. T., 27 vjeç dhe A. B., 36 vjeç, të katërt banues në Tiranë, si dhe shtetasit E. J., 29 vjeç dhe F. Z., 34 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim administratori i këtij subjekti, shtetasi J. M., 31 vjeç.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasit që u gjetën në këtë subjekt ishin punësuar në mënyrë të paligjshme dhe mashtronin shtetas të huaj, kryesisht italianë dhe grekë, që të investonin para në tregje fiktive.

Gjatë kontrollit në ambientet e këtij subjekti janë gjetur 101 kompjuterë, 2 laptopë, 1 DVR dhe 10 celularë, të cilët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48658 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE