Sulmet ruse me dronë shkaktojnë dëme në portet e Danubit dhe Detit të Zi!

vovalbania August 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmet ruse me dronë shkaktojnë dëme në portet e Danubit dhe Detit të Zi!

Sulmet ruse me dronë dëmtuan objektet e drithërave në portet e Ukrainës, Odesa e Izmail. Në të gjithë vendin u lëshuan alarme për sulme ajrore. Pati dëmtime në Izmail, njëri prej dy porteve të Danubit që Kievi po i përdor për të eksportuar drithërat, pasi muajin e kaluar Moska nuk pranoi të zgjaste marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia e Kombet e Bashkuara për eksportimin e drithërave e të tjera produkteve ukrainase përmes detit.

Një tjetër depo drithi në portin e Izmailit u dëmtua nga rusët ndërsa drithërat ukrainase kanë mundësi të ushqejnë miliona njerëz në mbarë botën.

Izmaili ndodhet rreth 15 kilometra në veri të Tulekës, port i madh i Danubit që i përket Rumanisë. Javën e kaluar, dronët rusë goditën Renin, portin tjetër të Danubit që përdoret nga Ukraina për të eksportuar drithëra. Reni ndodhet rreth 200 kilometra përgjatë Danubit, nga Rumania.

Në Odesa, dronët rusë goditën objektet për ruajtjen e drithërave.  Si pasojë e sulmit shpërtheu zjarri në objektet e portit e në infrastrukturën industriale në rajon dhe një depo e drithërave u dëmtua.

Odesa, porti kryesor i Ukrainës në Detin e Zi vazhdimisht është goditur nga granatat e sulmet ruse me dronë.

Në Telegram, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkruan se pjesë të portit në jug kanë pësuar dëme të mëdha.

Ne po e mbrojmë veten me maksimumin e forcave që kemi. Fatkeqësisht, ka dëme. Dëmi më i madh është bërë në jug të vendit. Terroristët rusë i sulmuan përsëri portet, drithërat e sigurinë e ushqimit global. Rusia mundet dhe duhet të ndalet.

Edhe presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis dënoi sulmin në portin e Danubit, duke e cilësuar “krim lufte”.

Sulmet e vazhdueshme të Rusisë kundër infrastrukturës civile të Ukrainës në Danub, në afërsi të Rumanisë, janë të papranueshme. Këto janë krime lufte.

Kremlini thotë se është gati të kthehet “menjëherë” në marrëveshjen e drithërave sapo të zbatohet pjesa që i përket Rusisë. Zëdhënësi Dmitry Peskov i bëri këto komente një ditë pasi ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se ka sinjale se Moska mund të jetë e gatshme të kthehet në bisedime për marrëveshjen.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49340 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE