Sulmi në Kongresin Amerikan, Trump deklarohet “i pafajshëm”/Seanca e radhës më 28 gusht!

vovalbania August 04, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmi në Kongresin Amerikan, Trump deklarohet “i pafajshëm”/Seanca e radhës më 28 gusht!

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump u deklarua “i pafajshëm” për akuzat se u përpoq të përmbyste rezultatet e humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Kështu, për herë të parë iu përgjigj akuzave federale se orkestroi një përpjekjeje të turpshme e përfundimisht të dështuar, për të bllokuar transferimin paqësor të pushtetit presidencial.

Pas seancës, Trump tha se ishte një “ditë shumë e trishtuar për Amerikën”.

Ky është persekutim i një kundërshtari politik. Kjo nuk duhej të ndodhte kurrë në Amerikë.

Ish-presidenti është akuzuar se ka përdorur pushtetin për përfitime politike. Trump u paraqit para një gjyqtareje në gjykatën federale të Uashingtonit, dy ditë pasi u padit për katër vepra penale nga Prokurori i Posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith.

Ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur vullnetin e votuesve dhe për të zhbërë humbjen në zgjedhje, në ditët para 6 janarit 2021, kur mbështetësit sulmuan Kapitolin në një përplasje të dhunshme e të përgjakshme me forcat e rendit.

Trump, kandidati kryesor në zgjedhjet presidenciale republikane për vitin 2024 po përballet me akuza, duke përfshirë komplotin për të mashtruar Shtetet e Bashkuara e për të penguar certifikimin në Kongres të fitores së demokratit Joe Biden.

Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se është “i pafajshëm”, ndërsa rastin e fundit, ekipi i tij ligjor e cilëson “sulm ndaj të drejtës së tij për lirinë e fjalës”.

Çështja është pjesë e një përshkallëzimi të vazhdueshëm të problemeve ligjore për ish-presidentin, që vjen gati dy muaj pasi ai u deklarua “i pafajshëm” për dhjetëra akuza për krime federale lidhur me mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara e pengimin e përpjekjeve të qeverisë për t’i marrë ato.

Në atë që është bërë ritual i njohur, kandidati kryesor për nominimin presidencial republikan në vitin 2024 u kontrollua nga forcat e rendit dhe deklaroi pafajësinë përpara gjykatëses federale. Më pas u la i lirë ndërsa çështja vazhdon, duke i mundësuar t’i bashkohet sërish fushatës teksa kërkon të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE