Përzgjidhen shefat e rinj të shërbimeve në QSUT, por emrat ende nuk janë publikë!

vovalbania August 05, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Përzgjidhen shefat e rinj të shërbimeve në QSUT, por emrat ende nuk janë publikë!

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, përzgjedhja e shefave të shërbimeve, emrat e të cilëve ende nuk janë publikuar edhe pse procesi nisi në fund të qershorit, ka shkaktuar pakënaqësi, duke konfirmuar bindjen se nuk ka më zgjedhje, por emërime.

Burime të Top Channel-it thonë se edhe pse pretendohej të ishte një garë ku do të përzgjidheshin emrat e drejtuesve të rinj të shërbimeve të QSUT-së, qendrës më të madhe spitalore në vend, në fakt vetëm garë nuk pati.

Kjo pasi në pjesën më të madhe të shërbimeve janë rikonfirmuar ata drejtues që ishin, ndonëse në prag të daljes në pension. Në pjesën tjetër ka pasur vetëm një kandidat, pasi shumë nga mjekët edhe pse i plotësonin kriteret nuk kanë preferuar të kandidojnë se sipas tyre e dinin cili do të ishte fati i garës.

Top Channel ka mësuar se në krye të Neurokirugjisë është përzgjedhur neurokirurgu Artur Xhumari, i cili prej gati një viti ishte komanduar në këtë shërbim. Për Neurokirurgjinë është folur shumë ditët e fundit pas rastit të aktorit Genci Fuga, i cili u detyrua të operohej në një spital privat.

Shërbimin e Kardiokirurgjisë do ta drejtojë Dr.Altin Veshti, Kirurgjinë Vaskulare, Dr.Sokol Xhepa. Në krye të shërbimit të Endokrinologjisë u rizgjodh Dr.Agron Ylli, të atij Onkologjik, Dr. Silva Çeliku e të Dermatologjisë, Dr. Mira Vasili.

Në shërbime të tjera ka pasur vetëm një kandidat  kështu që automatikisht u bë përzgjedhja. Por, këto janë rezultate që ka konkluduar komisioni përzgjedhës ndërsa dosja është dorëzuar e pas pushimeve të verës pritet të firmoset nga ministret e Shëndetësisë e të Arsimit.

Në përzgjedhje, bie në sy se disa nga shefat e përzgjedhur janë në prag pensioni, ndërkohë që në garë hyn me vizion 4-vjeçar.

Tashmë, procesverbali i firmosur nga komisioni përzgjedhës i përbërë nga anëtarë si nga Shëndetësia ashtu dhe nga Arsimi, pret firmat.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48929 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE