Task-force e re për hetimin e krimeve të rënda, pas vrasjes në Prishtinë!

vovalbania August 05, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Task-force e re për hetimin e krimeve të rënda, pas vrasjes në Prishtinë!

Në Kosovë do të krijohet një task-force e re për hetimin e krimeve të rënda, pas vrasjes së një 39-vjeçari dhe plagosjes së 20 të tjerëve në një lokal në qendër të Prishtinës, rreth mesnate. Njoftimin e dha ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Në një postim në Facebook shkruan:

Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme.

Pas një konflikti mes disa personave në mjediset e lokalit Bon Vivant, u përdorën armë zjarri. Sipas Svelçës, “palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale”, ndërsa fajëson sistemin e drejtësisë se po i lë të lirë të dyshuarit për vepra të rënda.

Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) konfirmoi vdekjen e një 39-vjeçari, si pasojë e plagëve të rënda.

Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror. Të gjithë të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, katër të dyshuarit mbeten të shtruar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) e të ndaluar nga forcat e rendit, me vendim të prokurorit.

SHSKUK njoftoi se pesë vetë u pranuan për trajtim të specializuar, pas ndihmës së parë mjekësore në Klinikën Emergjente, si pasojë e plagëve.

Katër u dërguan në Klinikën e Ortopedisë dhe një në të Kirurgjisë Vaskulare.

Sveçla reagoi dhe lidhur me dënimin me burgim të përjetshëm të Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa Arbër Sejdiu u dënua me 15 vjet burg për ndihmë në vrasje.

Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer.

Ministri nënvizoi se Dardan Krivaqa nuk ishte ndëshkuar asnjëherë edhe pse akuzohej për 135 vepra penale.

Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE