Bilanci policor i korrikut, 119 operacione, 705 të arrestuar!

vovalbania August 06, 2023 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Bilanci policor i korrikut, 119 operacione, 705 të arrestuar!

Policia e Shtetit bën bilancin e korrikut 2023. Muajin e kaluar u finalizuan 119 operacione e megaoperacione policore, si dhe u vunë në pranga 705 autorë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Si rezultat i këtyre operacioneve e megaoperacioneve, janë asgjësuar mijëra fidanë dhe bimë kanabisi, si dhe janë sekuestruar 33 armë zjarri, 1 mitraloz i lehtë, 1 granatë, pjesë të armëve të zjarrit, 11 armë gjahu, rreth 2.5 kg kokainë e kanabis, si dhe mijëra doza të këtyre lëndëve narkotike. U finalizuan 34 operacione kundër kultivimit të bimëve narkotike në territoret e 7 qarqeve të ndryshme.

Janë finalizuar 12 operacione kundër armëmbajtjes pa leje, të cilat rezultuan me sekuestrimin e armëve që i kishin shërbyer apo do t’i shërbenin krimit, që posedoheshin pa leje apo që do të trafikoheshin drejt RMV-së. Policia shkatërroi 7 grupe kriminale për krime të rënda kundër personit, shpërndarje të lëndëve narkotike, vjedhje me armë dhe me dhunë, falsifikim dokumentesh në një ambient të improvizuar si laborator, trafikim të mjeteve motorike drejt RMV-së, për mashtrim përmes një subjekti call center ose me qëllim përfitimin nga tatimi TVSH.

Këtyre grupeve, policia iu seksuestroi arsenalë armësh, drogë, para’, automjete të blinduara, mjete ose pajisje me të cilat kryenin krimet dhe asete të tjera.

Njëri nga këto grupe që kishte kryer disa vrasje dhe kishte siguruar kushtet për kryerjen e disa të tjerave, u shkatërrua si rezultat i operacionit tejet kompleks të koduar “Metamorfoza”. 6 konflikte dhe ngjarje kriminale që mund të përshkallëzonin ose të kryheshin duke përdorur armë, u parandaluan në Lushnjë, Pogradec, Durrës dhe në Kurbin.

Operacionet ndërkombëtare “Rugantino” dhe “Castellon”, arrestuan në vendin tonë 3 shtetas që i fshiheshin autoriteteve të Italisë dhe Spanjës, të cilat i akuzonin si pjesëtarë të 2 organizatave ndërkombëtare për trafikimin e narkotikëve. Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit me partnerët britanikë, u arrestua shtetasi i fundit i kërkuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

14 operacione të finalizuara kundër krimeve ekonomiko-financiare (2 prej tyre të njëpasnjëshme në portin e Durrësit) rezultuan me sekuestrimin e pasurive të paluajtshme me vlerë 10 milionë euro (me burim krimet në fushën e narkotikëve), 146 290 eurove, 5 548 kilogramëve veshje të kontrabanduara, produkteve ushqimore dhe farmaceutike që shiteshin ilegalisht, si dhe me bllokimin e disa llogarive bankare ku qarkullonin para të gjeneruara në kundërshtim me ligjin.

U finalizuan 22 operacione kundër vjedhjeve, të cilat parandaluan, goditën menjëherë pas kryerjes apo zbardhën raste të kësaj veprimtarie kriminale. Policia e Tiranës finalizoi 3 operacione me fokus goditjen e krimeve kompjuterike përmes platformave të ndryshme. Policia e Gjirokastrës finalizoi 6 operacione për goditjen e transportimit ilegal të dhjetëra emigrantëve, drejt vendeve të BE-së, ndërsa policitë e Korçës dhe të Fierit goditën 3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë muajit korrik, janë vënë në pranga 251 drejtues mjetesh, nga të cilët 122 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 129 për drejtim pa leje.

Janë pezulluar 584 leje drejtimi, nga të cilat 379 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 138 për drejtim mjeti, nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 67 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative. Policia sekuestroi rreth 70 000 euro të padeklaruara në pkk-të Port Vlorë, Muriqan dhe Morinë, si dhe inicioi procedim penal për secilin prej poseduesve të këtyre shumave. shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar dhe goditur: 36 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin, 7 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 6 raste të kontrabandimit të mallrave për të cilat paguhet akcizë apo që janë të licencuara dhe 2 raste të trafikimit të lëndëve narkotike.

Në 22 raste, dhjetëra turistëve vendas e të huaj iu është dhënë ndihmë, pasi kishin mbetur të bllokuar në det ose në terrene të thepisura malore.

196 mjete lundruese janë konstatuar në paligjshmëri, në liqenin e Komanit dhe në hapësira të tjera ujore në juridiksionin e dvkm-ve Vlorë dhe Durrës. 4 korridore për kalimin e mjeteve lundruese, të ndërtuara ilegalisht, u prishën në Velipojë. Autorët e këtyre paligjshmërive u ndëshkuan administrativisht, konform ligjeve; 28 subjekte janë ndëshkuar në plazhet e Vlorës dhe Durrësit, si dhe pranë liqenit të Pogradecit, pasi kishin pushtuar pa të drejtë hapësirën publike, për vendosjen e 2 359 çadrave dhe shezlongëve (të cilat u sekuestruan nga Policia), për vendparkim automjetesh ose për kryerjen e aktiviteteve të tjera fitimprurëse; Në 23 subjekte pranë qendrave të banuara u konstatua muzikë tej orarit të përcaktuar. Pronarët u proceduan penalisht, ndërsa pajisjet muzikore u sekuestruan për të parandaluar shqetësimin e mëtejshëm të pushuesve. 52 raste të ndërtimeve pa leje, në plazhe për qëllime përfitimi, si dhe brenda vijës së verdhë në qytete, u goditën nga strukturat e Policisë në qarqe.

Zjarrëvënia ishte një tjetër betejë e policisë.

Policia ka ndërhyrë menjëherë për 18 raste zjarrvënieje, të kryera me dashje apo nga pakujdesia, në disa qarqe të vendit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE