Rritet në 30 numri i viktimave nga përmbytjet në veri të Kinës!

vovalbania August 06, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rritet në 30 numri i viktimave nga përmbytjet në veri të Kinës!

Rëndohet bilanci i fundit i përmbytjeve në veri të Kinës, duke shkuar në të paktën 30 viktima. Ndërkaq, 18 vetë ende rezultojnë të zhdukur në qytetin Baoding, rreth 150 kilometra larg kryeqytetit Pekin. Stuhia Doksuri, një ish-tajfun i fuqishëm që dy ditë më parë goditi Kinën ka sjellë shirat më të rrëmbyeshëm në rajon që nga koha kur filluan të bëhen matjet, para 140 vjetëve.

Deri një ditë më parë, më shumë se 600 mijë banorë të Boadingut, i cili numëron 11.5 milion, u evakuan nga zonat e cilësuara si të rrezikuara nga vërshimet. Shirat e dendur dëmtuan provincat kineze në kufi me Rusinë dhe Korenë e Veriut. Alarmi i kuq mbetet në fuqi në Pekin, për shkak të “rreziqeve gjeologjike”, si rrëshqitjet e dheut që lidhen me motin e keq.

Po ashtu, vazhdojnë operacionet e pastrimit pas reshjeve të mëdha të shiut, që shkatërruan infrastrukturën. Ujërat vërshuan në shumë zona.

Muajt e fundit, vendi kinez po vuan pasojat e motit ekstrem, nga valët e nxehtësisë që thyen rekordet e deri te përmbytjet vdekjeprurëse.

Ministria kineze për Emergjencat raportoi se 142 vdekjet apo zhdukjet e regjistruara në korrik, u shkaktuan si pasojë e vërshimeve apo fatkeqësive gjeologjike.

Luhatjet e forta të motit po ndihen dhe në Europë. Në Slloveni u rëndua bilanci i viktimave dhe i dëmeve të motit të keq me shi të dendur e përmbytje të jashtëzakonshme. Në brigjet e lumit Sava, dje u gjet një tjetër trup i pajetë, duke e çuar në katër numrin e atyre që kanë ndërruar jetë nga pasojat e motit ekstrem, më i keqi në tre dekada. Disa qytete u pushtuan nga përmbytjet e mbeturinat masive. U dërguan helikopterë për të siguruar ushqim e ujë të pijshëm. Të paktën 5 holandezë u zhdukën mes stuhive.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen siguroi Slloveninë për ndihmë. Kryeministri Robert Golob foli për “dëmin ndoshta më të madh të shkaktuar nga një fatkeqësi natyrore në historinë e Sllovenisë së pavarur”, pra prej vitit 1991. Dëmin e pronës e vlerësoi në “mbi 500 milion euro”. Pasojat kryesore janë në infrastrukturën rrugore dhe atë energjetike e në qindra godina banimi.

Kapriçot e motit kanë bërë që pas të nxehtit përvëlues, në Britani të vazhdojë të mbetet në fuqi alarmi nga stuhia Antoni që ka sjellë shi të dendur dhe erëra të forta. Rënia e pemëve, rrëshqitjet dhe strukturat e papërshtatshme të ndërtesave, janë disa nga rreziqet, për të cilat njerëzit duhet të kenë kujdes. Edhe fluturimi i sendeve mund të çojë në lëndime ose rrezik për jetën.

Meteorologu Tom Morgan bëri të ditur se stuhia, e para që në Britani emërohet nga Met Office për këtë sezon, mund të shoqërohet me erëra deri në 110 km/h e kjo nuk është tipike e muajit. Për gushtin duket shumë e pazakontë. Zonat brenda paralajmërimit të verdhë mund të shohin 15 deri në 25 mm shi në më pak se 60 minuta, si dhe 30 deri në 40 mm në dy deri në tre orë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49668 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE