Integrimi energjetik, vendet e Ballkanit Perëndimor janë pas me afatet!

vovalbania August 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Integrimi energjetik, vendet e Ballkanit Perëndimor janë pas me afatet!

Ndërsa janë duke vazhduar negociatat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, Komuniteti i Energjisë raporton se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor sa i përket sektorit energjetik, nuk është duke arritur afatet e vendosura.

Pra, nëse deri në fund të këtij viti duhet që të jenë miratuar legjislacionet përkatëse për t’u përshtatur me rregullat e Bashkimit Europian, gjashtë vende, ende nuk i kanë dorëzuar draftet. Në vitin 2025, tregjet europiane dhe ato të Ballkanit Perëndimor duhet që të bashkohen, për të përparuar në kapitujt energjitikë.

Edhe në fushën e energjisë së rinovueshme, Shqipëria ka përshtatur vetëm një pjesë të kërkesave në ligjin për burimet e rinovueshme, ndërsa vendet e tjera ende nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë.

Ndërkohë, asnjë vend nuk ka zbatuar dokumentin e arritjes së zero emetimeve të karbonit deri më 2050-ën, siç e ka Bashkimi Europian.

Sa i përket ecurisë në përpjekjet drejt tranzicionit të energjisë së rinovueshme, asnjë nga vendet nuk ka shtuar ndonjë impiant të ri energjie që punon me qymyr apo të tjera lëndë djegëse, të dëmshme për mjedisin.

Instalimet e bazuara në energjinë diellore të erës dhe biokarburanteve u rritën pesë herë në pesë vjet, me peshën prej 1% më 2017-ën, duke arritur në 5% të totalit të kapaciteteve të instaluara më 2022-shin.

Në këtë aspekt, Shqipëria finalizoi dhe ankandet e para eolike me një kapacitet prej 222.6 megavatësh. Vitin e kaluar, vendi ynë renditej i treti në rajon për vetëkonsumin e energjisë, përfshirë biznese e individë me panele të instaluara.

Sipas Komunitetit të Energjisë, dy sfidat e ardhshme e të ngutshme për rajonin, momentalisht janë vënia në funksion e sistemit të origjinës së produkteve energjetike dhe prezantimi i një mekanizmi që takson kompanitë që emetojnë karbon në atmosferë. Këtë vit, Shqipëria mban presidencën e Komunitetit të Energjisë e ka rol kyç në çuarjen përpara të nismave.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49808 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE