​Ministri i ri i Mbrojtjes së Kosovës: Kam nisur një kapitull të ri, por me të njëjtat synime!

vovalbania August 08, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
​Ministri i ri i Mbrojtjes së Kosovës: Kam nisur një kapitull të ri, por me të njëjtat synime!

Ministri i ri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, ka thënë se e ka filluar një kapitull të ri si ushtarak por mbetët brenda së njëjtës shtëpi e me të njëjtat synime, që sipas tij janë forcimi i vazhdueshëm i ushtrisë dhe anëtarësimi në NATO.

Maqedonci. i cili uniformën e ushtarit e ka veshur 25 vjet më parë, ka thënë se ndjehet i nderuar që është vendosur në krye të ministrisë që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Sot paradite, jam emëruar Ministër i Mbrojtjes nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti!

Pasi e ka liruar nga detyra ministrin e deritanishëm Armend Mehajn, në një takim të përbashkët edhe me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, Kryeministri Albin Kurti më ka ngarkuar mua me detyrën e Ministrit në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës. Me këtë rast, dua ta falënderoj Kryeministrin Kurti për besimin dhe mbështetjen e deritanishme dhe të mëtutjeshme ndaj meje!

Jam i nderuar dhe i privilegjuar të vihem në krye të dikasterit qeveritar që i bën politikat e mbrojtjes dhe të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, trashëgimtares së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që nga 18 marsi i vitit 1998 kur e kam veshur uniformën e UÇK-së dhe deri më 10 korrik 2023 kur jam demobilizuar nga FSK-ja, jam përpjekur me tërë kapacitetet dhe qenien time fillimisht për lirinë e Kosovës dhe deri sot për ndërtimin e ushtrisë së saj. Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës jam në shtëpinë time, andaj ishte aq i natyrshëm pranim dorëzimi i detyrës sot në mesditë nga ish-Ministri Armend Mehaj në prani të Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharit. E falënderoj ish-Ministrin Mehaj për bashkëpunimin veçanërisht në periudhën e fundit.
Pas 25 vitesh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda të njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ju falënderoj të gjithëve për urimet që më keni dërguar. Shumë punë na presin përpara, bashkë me Kryeministrin Albin Kurtin, me Komandantin Bashkim Jasharin dhe me institucionet e Republikës së Kosovës.”-thuhet në reagimin e tij.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49243 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE