Sekuestrohen mbi 82 mijë euro në Portin e Durrësit dhe rreth 13 mijë paund në Rinas/2 në pranga!

vovalbania August 10, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sekuestrohen mbi 82 mijë euro në Portin e Durrësit dhe rreth 13 mijë paund në Rinas/2 në pranga!

Sekuestrohen 82 550 euro në Portin e Durrësit dhe 12 820 paund në Rinas, dy në pranga, shoferë të një autobusi të linjës Durrës-Bari-Durrës. Mjeti kaloi në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm nga Policia Kufitare Durrës. Mbi 82 mijë euro u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Kujtojmë se tre ditë më parë, po në Portin Durrës,  blutë sekuestruan 121 680 euro që tentoheshin të futeshin në Shqipëri, të fshehura në tavanin e një autobusi.

Ndërkaq, për paratë e kapura në Rinas, nisi procedimi penal për një 28-vjeçar nga Burreli me banim në Londër. Rreth 13 mijë paund gjithashtu u sekuestruan.

Njoftimi zyrtar: 

📍Rinas/Tentoi të fuste shumën e paundëve, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi, procedohet penalisht 28-vjeçari, banues në Londër.

Si rezultat i vigjilencës së shtuar dhe intensifikimit të kontrolleve nga shërbimet e Policisë Kufitare në të gjitha pkk-të e vendit, në bashkëpunim me autoritetet doganore, për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare, si dhe për të rritur në tërësi, parametrat e sigurisë, përgjatë sezonit turistik 2023, janë goditur 2 tentativa të tjera për të futur para të padeklaruara në vendin tonë.

✅Në PKK Port Durrës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Fluksi 2”, i cili u mbeshtet në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, si dhe u bazua në analizën e riskut. Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, shoferë të të cilit ishin shtetasit G. L. dhe V. E.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë autobus, i kryer duke përdorur metoda bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 82 550 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk, konform ligjeve në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit G. L., 43 vjeç dhe V. E., 52 vjeç, të dy banues në Elbasan.

✅Në Rinas, në bazë të analizës së riskut, në hyrje të vendit, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm shtetasi K. M. Në çantën e shpinës së këtij shtetasi, Policia gjeti 12 820 paund të cilat ky shtetas tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 28 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Londër, si dhe u sekuestrua shuma e parave.

Në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre 2 rasteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit dhe asaj të Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48729 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE