Vritet një grua nga sulmet ruse në Harkiv/Moska raporton për dronë ukrainas në Krime!

vovalbania August 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vritet një grua nga sulmet ruse në Harkiv/Moska raporton për dronë ukrainas në Krime!

Në Ukrainë, ushtria ruse vazhdoi bombardimin e rajonit të rrethuar të Harkivit, ndërsa Moska raportoi se Krimeja e aneksuar është shënjestruar nga dronë. Një grua 73-vjeçe humbi jetën në qarkun jugor të Kupjanskut, siç bëri të ditur guvernatori i rajonit të Harkivit, Ohel Synyehubov.

Dy ditë më parë, Ukraina doli me një vendim për evakuim të detyrueshëm të 37 qyteteve e fshatrave në qarkun e Kupjanskut në rajonin e Harkivit, pas intensifikimit të bombardimeve nga forcat ruse.

Në qytetin e Kupjanskut dhe në territoret përreth që ishin nën pushtimin rus, që nga shtatori i vitit të kaluar, forcat ukrainase kanë ndërmarrë një kundërofensivë duke larguar trupat e Kremlinit nga pothuajse i gjithë rajoni i Harkivit.

Rusia ka përqendruar sulmin te trupat që mbështeten nga njësitë e tankeve, artileria dhe avionët në Kupjansk, siç raportoi zëdhënësi i Gardës Kombëtare të Ukrainës, Ruslam Muzychuk për mediat vendase.

Në një tjetër zhvillim, Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se forcat e Rusisë kanë shkatërruar 20 dronë të supozuar ukrainas në Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë nuk ka dhënë detaje për viktima apo dëme si pasojë e këtyre tentativave, ditën e sotme. Ky dikaster njoftoi se 14 dronë u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa gjashtë të tjerë nga pajisje luftarake elektronike.

Në një njoftim në rrjetet sociale, autoriteti për transportin në Krime tha se trafiku në urën që lidh gadishullin me rajonin rus të Krasnodarit qëndroi i pezulluar për dy orë.

Sulmet me dronë në territoret e kontrolluara nga Rusia në Ukrainë, si dhe në thellësi të Rusisë janë intensifikuar që nga koha kur u shkatërrua një dron mbi Kremlin, në fillim të muajit maj.

Ukraina pothuajse asnjëherë nuk e merr përgjegjësinë për këto sulme, por ka raportuar se ka shkatërruar infrastrukturën e rëndësishme të ushtrisë ruse gjatë kundërofensivës së Kievit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48855 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE