Mbrojtja e Thaçit i kërkon trupës gjykuese të njoftojë se çështja nuk lidhet me trafikim organesh!

vovalbania August 14, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Mbrojtja e Thaçit i kërkon trupës gjykuese të njoftojë se çështja nuk lidhet me trafikim organesh!

Në Gjykatën Speciale në Hagë vijon procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.   Në fillim të seancës, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe kërkoi nga trupi gjykues që të jepte një njoftim lidhur me çështjen e trafikimit të organeve, duke deklaruar se hetimet për këtë kanë përfunduar.

Avokati amerikan ka përmendur disa artikuj të botuar gjatë ditëve të fundit në media europiane, ku zyrtarë të qeverisë në Rusi kanë pretenduar se udhëheqësit e UÇK-së janë të përfshirë në trafikim organesh.

Duke ritheksuar që kjo është krejtësisht e pavërtetë, Kehoe tha se gjykata duhet të lëshojë një njoftim, ku të theksohet se kjo çështje “nuk ka të bëjë me trafikim organesh”.

Nëse hetimi që ka të bëjë me trafikimin e organeve ka përfunduar, duhet që dikush në këtë godinë ta thotë këtë gjë, pra që nuk ka asgjë nga akuzat e ngritura kundër të akuzuarve të cilat i lidhin të akuzuarit me trafikimin e organeve. Nuk e di nëse rusët po përpiqen të ndikojnë këtë trup gjykues por pavarësisht qëllimeve të tyre, ata në mënyrë të vazhdueshme vazhdojnë të përpiqen që të thonë që zotërinjtë të cilët janë të akuzuar në këtë çështje gjyqësore janë të përfshirë në akuza për trafikimin e organeve, gjë e cila pa diskutim që nuk është e vërtetë. Ju parashtroj zotëri gjykatës që do ishte mirë që ju të jepni një njoftim, dhe të thoni që ky hetim ka përfunduar dhe kjo çështje nuk ka të bëjë fare me trafikimin e organeve.

Mbrojtja e Thaçit ngriti edhe një çështje tjetër. Avokati përmendi deklaratat që një shqiptar nga Gjermania dha për median në Kosovë, duke thënë se iu kërkua të gjejë katër dëshmitarë katolikë për të dëshmuar kundër Thaçit. Kehoe u shpreh se kjo ka të bëjë me ndikim mbi dëshmitarët.

E kuptoj që ZPS ka përdorur ndërmjetës në Kosovë për të gjetur dëshmitarë megjithatë kjo është ndërhyrje në procesin e drejtësisë, nëse ka pjesëmarrje që inkurajon dikë që të gjejë katër dëshmitarë katolikë dhe të vijnë të dëshmojnë kundër klientit tim, presidentit Hashim Thaçi. Kjo është ndërhyrje në çështje të drejtësisë dhe për të qenë i sinqertë, nuk kam asnjë vend tjetër ku të drejtoj këtë shqetësim, përveç trupi gjykues.

Lidhur me shqetësimet e mbrojtjes së Thaçit, reagoi prokuroi Matt Halling:

Kjo është një çështje, e cila nuk është diskutuar me ne. Asnjë prej çështjeve që u ngrit nga Kehoe, nuk ka të bëjë me dëshmitarin, i cili do të vijë për të dëshmuar në sallën e gjyqit, kështu që kërkojmë që mbrojtja e Thaçit t’i parashtrojë me shkrim këto shqetësime.

Pas kësaj, avokati i Thaçit deklaroi se parashtrimet do t’i dorëzojë edhe me shkrim, theksoi se duhet të jepet shpjegim nëse dikush ka kërkuar katër dëshmitarë kundër ish-presidentit.

Thaçi, Veseli e Selimi ishin të pranishëm në gjykatë, ndërsa Krasniqi mori pjesë online, nga qendra e paraburgimit. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49413 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE