Lideri i puçit ushtarak në Niger, Tchiani: Duam qeveri tranzitore!

vovalbania August 20, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lideri i puçit ushtarak në Niger, Tchiani: Duam qeveri tranzitore!

Lideri i puçit ushtarak në Niger, Abdourahmane Tchiani tha se dëshiron të krijojë një qeveri tranzitore, e cila të qëndrojë në pushtet për “jo më shumë se tre vjet”. Sot gjatë një fjalimi në televizionin shtetëror, Tchiani paralajmëroi shtetet e huaja kundër ndërhyrjes ushtarake në vendin e tij. Ai theksoi se dëshiron të ketë “dialog kombëtar gjithëpërfshirës” brenda 30 ditëve e të konsultohet me të gjithë qytetarët e Nigerit.

Tchiani u bë lider i Nigerit muajin e kaluar, përmes një grushti shteti tronditës, gjatë të cilit Garda Presidenciale arrestoi e gjithashtu rrëzoi nga pushteti presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Bazoum.

Tchiani shtoi:

Dialogu kombëtar do të ofronte bazën për krijimin e një kushtetute të re. Vendimet do të merren pa ndërhyrje të jashtme.

Komentet vijnë pasi blloku rajonal i Afrikës Perëndimore, i njohur si ECOWAS njoftoi se shefat e mbrojtjes janë duke përgatitur një plan për ndërhyrje ushtarake në Niger, nëse nuk rikthehet rendi dhe ligji.

Data e mundshme e ndërhyrjes është caktuar, por nuk bëhet publike.

Liderët e rinj të Nigerit u përgjigjën duke thënë se kanë zhvilluar një strategji mbrojtëse me “masa konkrete”, bashkë me dy shtetet fqinje, Malin e Burkina Fason, nëse ECOWAS-i vendos të “shkojë në luftë”. Mali dhe Burkina Faso sundohen nga ushtria, po përmes puçeve.

Megjithatë, ECOWAS-i ka theksuar se zgjidhja paqësore duhet të mbetet prioritet e se ndërhyrja ushtarake do të ishte e nevojshme vetëm nëse dështojnë bisedimet.

Pas grushtit të shtetit në Niger më 26 korrik, ECOWAS-i bëri thirrje për kthimin e Bazoumit në pushtet. Ai po mbahet në arrest shtëpie në pallatin presidencial.

Nigeri, vend i Sahelit me rreth 26 milion banorë është ndër shtetet më të varfër në botë.

Deri para grushtit të shtetit, Nigeri ishte një prej partnerëve më demokratik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës në rajonin e Sahelit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50747 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE