Zjarri në parkun kombëtar Dadia në Greqi, ekspertët: “Fajtor jo vetëm ngrohja globale…”
Zjarri në parkun kombëtar Dadia në Greqi, i cili është aktiv prej dy javësh, po vijon të përpijë shumë hektarë tokë, ndërsa numri i viktimave është 26. Komisioni Evropian e konsideron zjarrin më të madh të regjistruar në Evropë. Teksa qeveria greke ka fajësuar ngrohjen globale për zjarret shkatërruese të verës, disa ekspertë argumentojnë se planifikimi i dobët i mbrojtjes është të paktën po aq fajtor. Alexandros Dimitrakopoulos, Drejtuesi i Mbrojtjes së Pyjeve nga zjarret raportoi për AFP se zjarret e këtij viti janë konsideruar më të forta ndër vite, ndërsa deri më tani 10 % e pyjeve janë shkrumbuar totalisht që nga viti 2007.
Nga ana tjetër drejtori kërkimi në Observatorin Kombëtar të Athinës argumentoi se fokusi duhet të jenë masat e duhura për të parandaluar zjarret në pyje. Ai gjithashtu shtoi se problemi i përsëritur ka të bëjë me marrëdhëniet jofunksionale midis shtetit dhe organeve shkencore. Situata e vështirë me të cilën është përballur vendi këtë verë ka nxitur debat në parlament pasi opozita ka akuzuar aspër qeverinë se nuk ka bërë maksimumin për të shmangur katastrofat.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis iu kundërpërgjigj duke shpallur fajtor krizën klimatike dhe valën ekstreme të të nxehtit që kaploi vendin këtë verë. Ai vuri në dukje se Greqia ishte larg nga të qenit i vetmi vend që vuante zjarre të tilla masive, duke treguar për fatkeqësi të ngjashme këtë verë në Kanada, Spanjë dhe Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu lideri grek njoftoi se do të rekrutojë më shumë zjarrfikës dhe do të blejë pajisje për të ndihmuar në monitorimin e fatkeqësive të tilla. /TCH