Shuhet zjarri në Lushnjë, nuk ka dëme në banesa!

vovalbania September 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shuhet zjarri në Lushnjë, nuk ka dëme në banesa!

Pas disa orësh në luftë me flakët u arrit të shuhej zjarri që vazhdonte nga mbrëmë në fshatin Zham të Lushnjës. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse shkuan trupa të ushtrisë. Për t’i paraprirë çdo rreziku të mundshëm, u bë evakuimi i banorëve nga shtëpitë që ndodheshin më pranë vatrës. Një banor tregoi:

Ishim duke pirë kafe kur pamë zjarrin. U përhap me shpejtësi shumë të madhe. Kishte erë të fuqishme. Ullishtja u dogj, të paktën mos të digjen shtëpitë.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se efektivët e Batalionit të tretë të Këmbësorisë të Forcës Tokësore iu bashkuan zjarrfikësve të Lushnjës, Fierit, Divjakës, Roskovecit, Beratit në operacionin e shuarjes së zjarrit me përmasa të mëdha.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi:

Pas një pune intensive dhe përkushtimit të 158 trupave të emergjencave civile dhe efektivëve të FA, zjarri është shuar përfundimisht duke mos shkaktuar asnjë dëm në banesa e jetë njerëzish.

Policia e Lushnjës vuri në pranga një 58-vjeçar i dyshuar se duke djegur mbeturinat u bë shkak për aktivizimin e flakëve që përfshinë sipërfaqe të mëdha me ullinj e shkurre në Zham të Lushnjës. Për pasojë u dogjën dhjetëra hektarë ullishte. Në zonë ishte dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili vlerësoi punën e pandalshme të gjithë strukturave deri në izolimin e zjarrit që kërcënoi deri banesat e banorëve të fshatit Zhamë.

Në një postim në rrjetet sociale shkruan:

Shumë mirënjohje për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke shmangur dëme shumë, shumë më të mëdha nëse nuk do të ishte arritur vendosja nën kontroll gjatë natës dhe nëse nuk do të ishte punuar pa ndërprerje deri në mëngjesin e sotëm.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49682 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE