Ukraina sulmohet nga 32 dronë rusë, rrëzon 25 prej tyre!

vovalbania September 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ukraina sulmohet nga 32 dronë rusë, rrëzon 25 prej tyre!

Deri në orët e para të mëngjesit, Rusia sulmoi Ukrainën me 32 dronë. Shumica e tyre kishin për objektiv kryeqytetin Kiev, siç raportuan sot zyrtarët e ushtrisë ukrainase.

Mbrojtja Ajrore e Ukrainës rrëzoi 25 prej tyre, por nuk u dhanë detaje për shtatë dronët e tjerë.

Sulmet ajrore ruse vijnë në një kohë kur liderët ukrainas po i bëjnë thirrje Perëndimit për përkrahje shtesë për të zmbrapsur pushtimin rus që vijon prej shkurtit të vitit të kaluar.

Sergiy Popko, numri një i administratës ushtarake të Kievit:

Pushtuesi e sulmoi Ukrainën me 32 dronë kamikazë. 25 prej tyre u shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase. Pushtuesi rus e drejtoi shumicën e dronëve në rajonin e Kievit.

Dronët u futën në kryeqytet në grupe dhe nga drejtime të ndryshme.

Mbetjet e tyre ranë në disa rrethina, duke dëmtuar një banesë në një ndërtesë shumëkatëshe, si dhe rrugët dhe linjat e energjisë elektrike. Një person u lëndua.

Rusia i sulmoi sistematikisht qytetet ukrainase që në fillim të pushtimit, por sulmet masive janë bërë më pak të shpeshta, për shkak se rezervat e Moskës po pakësohen, ndërsa Ukraina e ka përforcuar mbrojtjen ajrore.

Muajin e kaluar, Kievi raportoi se shkatërroi më shumë se 20 dronë dhe raketa ruse në atë që e cilësoi si “sulmin më të fuqishëm në kryeqytet, që nga pranvera”.

Ndërkaq, në Indi G-20 miratoi një deklaratë të përbashkët gjatë një samiti në Nju Delhi, në të cilën nuk e dënoi Rusinë për luftën e jashtëligjshme në Ukrainë, por vetëm u bëri thirrje të gjitha shteteve të përmbahen nga përdorimi i forcës për të zaptuar territore.

Ky pajtim mes vendeve është befasues duke qenë se grupi i G20-ës është thellësisht i ndarë rreth luftës në Ukrainë.

Presidentët e Rusisë dhe Kinës, Vladimir Putin e Xi Jinping nuk shkuan në samitin e Indisë, ndërsa ai ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk mori ftesë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE