Hetime për zjarrin në fabrikën e bojërave në Maminas/Flakët u shuan pas mesnate, nuk ka të lënduar!

vovalbania September 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Hetime për zjarrin në fabrikën e bojërave në Maminas/Flakët u shuan pas mesnate, nuk ka të lënduar!

Do të jenë hetimet që do të përcaktojnë shkaqet e zjarrit masiv që mbrëmë përfshiu një fabrikë bojërash pranë Maminasit, në autostradën Tiranë-Durrës. Mësohet se nga veprimet e para hetimore u konstatua se flakët nisën nga brenda. Po ashtu, një grup specialistësh nga Kapaciteti Kombëtar i Kimisë shkoi në terren për të bërë matjet duke qëndruar në gatishmëri.

Pas një beteje disa orëshe me to, vetëm pas mesnate u izolua zjarri i madh që përfshiu mjediset e fabrikës nga ku vazhdimisht dëgjoheshin shpërthime. Për fat të mirë, nuk pati të lënduar, por për shkak të lëndëve që digjeshin disa zjarrfikës morën ndihmë mjekësore pasi shfaqën shenja intoksikimi.

Mjete zjarrfikëse e forca nga Tirana e Durrësi, me ndihmë edhe nga Baza për Mbështetjen e Emergjencave Civile u angazhuan për shuarjen e zjarrit me përmasa të mëdha. U arrit të shmangej rreziku për qytetarët dhe banesat aty pranë.

Në vendngjarje shkoi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla e pati një thirrje që të shmangej kalimi i automjeteve deri në qetësimin e situatës. Kjo bëri që lëvizja të devijohej në rrugët dytësore. Në një njoftim të mëhershëm theksohej:

Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Shërbime të shumta policie të DVP Durrës dhe grupe të FNSH Tiranë kanë evakuuar në një objekt, qytetarët që ndodheshin në lokalin afër fabrikës.

Në momentin që ka rënë zjarr, brenda në fabrikë nuk ka patur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës. Nga përhapja e flakëve nuk ka asnjë person të dëmtuar.

Për çështje sigurie do të bllokohet përkohësisht autostrada Durrës-Tiranë dhe lëvizja do të devijohet në rrugët dytësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Po ashtu, pas një dite me disa zjarre në Bashkinë Fier e në zonën e Margllicit në Patos, rezulton se mëngjesin e sotëm të gjitha vatrat janë shuar. Shiu i rënë orët e fundit ndihmoi zjarrfikësit e angazhuar për lokalizimin dhe shuarjen e tyre.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48775 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE