Në veri u vra polici i Kosovës, Serbia: Albin Kurti përgjegjës!

vovalbania September 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Në veri u vra polici i Kosovës, Serbia: Albin Kurti përgjegjës!

Vjen reagimi i parë nga Serbia për ngjarjen tronditëse të mëngjesit të sotëm në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës dhe u plagos një efektiv i Kufirit. Ndërsa Prishtina akuzon Beogradin e sulmin e konsideron “terrorist”, kryeparlamentari serb, Vladimir Orliç thotë se “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përgjegjës për çdo lloj dhune”. Zyrtari i lartë e akuzon Kurtin se u nxitua në deklaratat për të fajësuar serbët lidhur me zhvillimet në atë pjesë të veriut të Kosovës me shumicë serbe.

Referuar kryeministrit Kurti, shprehet:

Gjithçka që ai ka bërë në muajt e fundit, me terrorin brutal që ka kryer kundër popullit serb, e ka bërë sepse ka dashur përshkallëzim të hapur dhe sepse ka dashur të shkaktojë dhunë.

Prej orës 10:00 të mëngjesit, shefi i qeverisë Kurti ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa më herët u njoftua se presidentja Vjosa Osmani ndërpreu vizitën në Nju Jork. Po ashtu, u mbyll pikëkalimi kufitar i Bërnjakut me Serbinë, si dhe nga Policia e Kosovës po mbahet e bllokuar rruga kryesore që të çon në fshatin Banjskë, në të majtë të aksit Prishtinë-Rashkë.

Nuk raportohet rëndim i trafikut e të pakta janë lëvizjet, por nga terreni vijnë njoftime se nga zona e njohur si kryqëzimi i Ballabanit e që të çon në Banjskë po dëgjohen të shtëna me armë zjarri.

Në Rudarë, tjetër fshat i Zveçanit qëndrojnë të dislokuara njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde shpërndau qëndrimin amerikan për vrasjen e efektivit dhe u shpreh në të njëjtën linjë me homologun e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan në Kosovë dënoi ashpër ato që i quajti “sulme të dhunshme e të orkestruara ndaj Policisë së Kosovës”, në veri. Edhe UNMIK-u dënoi vrasjen e kërkoi që autorët të dalin para drejtësisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE