Pas vrasjes së policit në veri, Kosova mbyll rrugën që çon në Banjskë të Zveçanit!

vovalbania September 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pas vrasjes së policit në veri, Kosova mbyll rrugën që çon në Banjskë të Zveçanit!

Mbeten të larta tensionet në veriun e Kosovës me shumicë serbe ku dita nisi me një ngjarje tragjike. Rreth orës 02:30 minuta të mëngjesit, një efektiv i Policisë së Kosovës u vra dhe një tjetër u plagos në Banjskë të Zveçanit ku shkuan pasi morën njoftim për bllokimin e urës hyrëse nga dy kamionë pa targa. Njësitet policore u sulmuan me armë zjarri e granata nga disa pozicione.  Prishtina foli për “sulm terrorist” dhe akuzoi Beogradin.

Kryeministri Kurti ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, presidentja Osmani ndërpreu vizitën në Nju Jork, u mbyll pikëkalimi kufitar i Bërnjakut me Serbinë, si dhe nga Policia e Kosovës po mbahet e bllokuar rruga kryesore që të çon në fshatin Banjskë, në të majtë të aksit Prishtinë-Rashkë.

Nuk raportohet rëndim i trafikut e të pakta janë lëvizjet, por nga terreni vijnë njoftime se nga zona e njohur si kryqëzimi i Ballabanit e që të çon në Banjskë po dëgjohen të shtëna me armë zjarri.

Në Rudarë, tjetër fshat i Zveçanit qëndrojnë të dislokuara njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde shpërndau qëndrimin amerikan për vrasjen e efektivit dhe u shpreh në të njëjtën linjë me homologun e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan në Kosovë dënoi ashpër ato që i quajti “sulme të dhunshme e të orkestruara ndaj Policisë së Kosovës”, në veri.

Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave e situatave të krizës.

Duke komentuar vrasjen e efektivit, diplomati i Uashingtonit theksoi se fajtorët duhet të mbahen përgjegjës e të përballen me drejtësinë. Hovenier vuri në dukje se vlerëson koordinimin e vazhdueshëm mes Policisë së Kosovës, misionit të NATO-s, KFOR e të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit, EULEX. Ndërkaq, i shprehu ngushëllime familjarëve të policit të vrarë dhe i uroi shërim të shpejtë të plagosurit.

Edhe Caroline Ziadeh, shefe e Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK dënoi vrasjen e efektivit e foli për një “ngjarje tragjike”. Ziadeh apeloi që fajtorët të dalin para drejtësisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50601 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE