Sot zgjedhjet e pjesshme lokale në Kukës, dy kandidatë në garë!

vovalbania September 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sot zgjedhjet e pjesshme lokale në Kukës, dy kandidatë në garë!

Në Kukës po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetarin e bashkisë. Në garë janë Albert Halilaj i propozuar nga Partia Socialiste dhe Emri Vata nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Votohet vetëm me një fletë votimi. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, në listat e votimit janë të regjistruar 45 946 persona me të drejtë vote, 22 174 prej të cilëve votuese femra dhe 23 772 janë votues meshkuj.

Si subjekte zgjedhore, në këto zgjedhje rezultojnë të regjistruara pesë parti politike: PS, PL, PD, PDK dhe PEI. Po si subjekt zgjedhor është regjistruar edhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Zgjedhësit do të kenë mundësi të votojnë në 74 qendra votimi, një prej të cilave e ngritur në institucionin e paraburgimit të qarkut Kukës.

Për identifikimin e zgjedhësve do të zbatohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 74 qendra votimi, të cilat sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

Zgjedhësi do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.

Sa i përket komisioneve, në 37 qendra votimi katër anëtarë të komisionit ndahen mes PD-së dhe PL-së. Ndërsa në 37 të tjera, përbërja e komisioneve të qendrave të votimit është me tre anëtarë të propozuar nga Partia Socialiste, tre anëtarë të propozuar nga Partia Demokratike dhe një anëtar i propozuar nga Partia e Lirisë.

Do të ngrihen pesë grupe numërimi, me dy anëtarë të grupit të numërimit që do të jenë nga PS, një anëtar nga PD dhe po një anëtar nga PL. Këto zgjedhje do t’i kushtojnë Buxhetit të Shtetit më shumë se 25 milion lekë. Zgjedhjet pasojnë shkarkimin e Safet Gjicit, pas publikimit të një video-skandali seksual.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49281 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE