Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak: Do ta gjej një rrugë përpara ditët në vijim!

vovalbania September 25, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Dialogu Kosovë-Serbi, Lajçak: Do ta gjej një rrugë përpara ditët në vijim!

I dërguari i Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se ditët në vijim do të përqendrohet për të gjetur një rrugë përpara në dialog. Kjo pas sulmit më armë ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, me pasojë vdekjen e rreshterit, Afrim Bunjaku.

Lajçak tha se mbeti i tronditur nga ky sulm në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Të tilla akte të dhunës janë thellësisht shqetësuese dhe kundër parimeve të paqes e bashkëpunimit. Ky sulm e thekson më shumë nevojën për dialog e diplomaci parandaluese që u nënvizua javën e kaluar kur mora pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Për të gjetur një rrugë përpara në rajon e në veçanti në dialog, unë kisha bisedime strategjike me partnerët tanë amerikanë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç u takuan më 14 shtator në Bruksel për bisedime të nivelit të lartë në dialogun e ndërmjetuar nga Bashkimi Europian, por nuk arritën asnjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Kurti e akuzoi Lajçakun se u pozicionua kundër Kosovës në takimin mes palëve. Një ditë më parë, autoritetet kosovare njoftuan se rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku ndërroi jetë nga plagët e marra gjatë sulmit.

Sulmuesit e armatosur, rreth 30 vetë ishin vendosur në Manastirin e Banjskës nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan.

Autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi. Prishtina bëri përgjegjës Beogradin, ndërsa Beogradi, serbët e Kosovës. Tensionet në veriun e Kosovës vijojnë të larta prej muajit maj kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejshëm dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49299 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE