Kryeministri Rama: Bashkimi Europian duhet të dënojë sulmin në Banjskë!

vovalbania September 28, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kryeministri Rama: Bashkimi Europian duhet të dënojë sulmin në Banjskë!

Sot në një dalje për mediat, për të shpjeguar qëndrimin e Tiranës mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, që kulmuan me sulmin e së dielës kundër policisë dhe vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, kryeministri Edi Rama tha se “Brukseli është i zhgënjyer me Shqipërinë”. Tirana kërkon një deklaratë të re nga Bashkimi Europian për dialogun Kosovë-Serbi, por sërish nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj.

Kemi kërkuar që deklarata që u publikua dje, të përfshinte edhe zhvillimet e fundit në Banjskë, ku u vra një punonjës policie nga një grup kriminal. Miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur diçka e tillë pasi deklarata që u publikua ishte konfirmuar nga blloku i vendeve anëtare. Na u kërkua linjëzimi, por përgjigja jonë ishte negative.

Rama shtoi se Shqipëria do të jetë gati të vihet në një linjë me një deklaratë të re të Bashkimit Europian, që duhet të përfshijë dënimin për veprimet dhe mosveprimet e Serbisë. Kryeministri theksoi se para mediave doli për të shprehur shqetësimin serioz, si asnjëherë më parë në 10 vjet për rrezikshmërinë e lartë në veriun e Kosovës.

Rama nënvizoi se nuk e kupton se çfarë pret Bashkimi Europian për të dalë me një deklaratë të tillë.

Zëdhënësi i BE-së tha dje se nuk do të ketë deklaratë tjetër pa u zbardhur hetimet si ndodhi ngjarja në Banjskë. Edhe mund të ishim dakord nëse Serbia do të distancohej nga grupi kriminal e do të kishte deklaruar menjëherë hapjen e një hetimi serioz e të pavarur. Por, në vend të kësaj, Serbia zgjodhi nderimin për të vrarët.

Rama shtoi se ka rezerva për liderët kosovarë e qëndrimin e tyre sa i takon procesit të dialogut, por në këtë rast, “Shqipëria është në krah të Kosovës”.

Udhëheqja e Kosovës ka kusuret e veta në procesin e dialogut, por asnjë prej tyre nuk e relativizon peshën e këtyre zhvillimeve të rënda, që nuk krahasohen me asgjë të keqe të ndodhur prej fundit të luftës së vitit 1999. Jemi para derdhjes së gjakut të pafajshëm, është gjaku i një efektivi të policisë së shtetit të Kosovës. U vra nga njerëz të veshur ushtarakisht e të armatosur rëndë, që për Beogradin janë të denjë për të ulur në gjysmështizë flamurin. Ky është një karshillëk, sa nga ana e grupit kriminal ashtu edhe nga institucionet e Serbisë. Nuk ka nevojë për hetim, por kërkon dënim!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51113 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE