Avokati Petronijeviç i drejtohet publikut në emër të Milan Radoiçiçit!

vovalbania September 29, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Avokati Petronijeviç i drejtohet publikut në emër të Milan Radoiçiçit!

Goran Petronijeviç, avokat i Milan Radoiçiçit, nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, sot do ta mbajë një konferencë për media në Beograd. Pritet që ai të lexojë një letër të Radoiçiçit, i akuzuar nga Prishtina për përfshirje në sulmin e Banjskës më 24 shtator, me pasojë vrasjen e rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Petronijeviç i cili ka marrë autorizimin e Radoiçiçit është një person që ka mbajtur statusin e të ashtuquajturit “vëzhgues” kur rusët mbajtën zgjedhje në territoret e pushtuara ukrainase, kohë më parë.

Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviç, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë. Në atë detyrë, në maj të vitit 2000 dënoi 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1 mijë e 600 vitesh burg për vepra terroriste.  Pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, nuk vazhdoi më si gjykatës e po ushtron profesionin e avokatit.

Para gjykatës ndërkombëtare, Petronijeviç ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte. Më i famshmi prej tyre është Radovan Karaxhiç, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje-Hercegovinë, i dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Kanë kaluar 5 vjet nga koha kur presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç pretendonte se nuk e njihte dhe kurrë nuk kishte biseduar me Radoiçiçin. Ndërkaq, tani shprehet se “ai nuk është akademik, por i mbron serbët në Kosovë”. Nga ana tjetër thotë se do të merret në pyetje nga drejtësia, çka e bën shumë çorientues qëndrimin e Vuçiçit për numrin dy të Listës Serbe.

Më herët gjatë ditës, Policia e Kosovës kreu kontrolle në pesë vende të tre komunave në veri, pas sulmit të armatosur ndaj forcave të rendit më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit ku u vra efektivi Afrim Bunjaku.  Si pasojë e përplasjeve të policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë të veriut të banuar me shumicë serbe, humbën jetën edhe tre sulmues. Kontrollet nisën pas orës 06:00 të mëngjesit e nuk pati persona të arrestuar. Aksioni u zhvillua në koordinim me misionet EULEX dhe KFOR.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE