SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miraton një buxhet afatshkurtër/Masa kalon në Senat!

vovalbania October 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miraton një buxhet afatshkurtër/Masa kalon në Senat!

Në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët, miratoi një projektligj për një buxhet afatshkurtër që mund të çojë në shmangien e mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane, nëse miratohet në Senat. Në rast se merr miratimin në Senat, Kongresi do të ketë 45 ditë për gjetur një kompromis për miratimin e buxhetit të plotë për vitin e ri fiskal.

Dy ditë më parë, ligjvënësit republikanë bllokuan përpjekjet për një masë që do të lejonte vazhdimin e përkohshëm të financimit të qeverisë. Kundërshtitë brenda republikanëve që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, rrezikojnë ta çojnë qeverinë amerikane drejt mbylljes së saj të katërt të pjesshme brenda një dekade.

Senati që kontrollohet nga demokratët po punon për një plan financimi 7-javor, që do të mbante hapur qeverinë deri në mes të muajit nëntor, duke u dhënë më shumë kohë ligjvënësve për të hartuar një buxhet të plotë për vitin e ardhshëm financiar, që fillon sot.

Por, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve që kontrollohet nga republikanët, Kevin McCarthy, refuzoi që plani i Senatit të hidhet për votim në Dhomën e Përfaqësuesve.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje për një buxhet të përkohshëm, atëherë rreth 4 milion punonjës të qeverisë federale dhe pjesëtarë të shërbimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara, nuk do të paguhen gjatë kësaj periudhe. Disa punonjës në detyra thelbësore për mbarëvajtjen e vendit dhe sigurinë kombëtare do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrat e tyre pavarësisht miratimit apo jo të buxhetit.

Muaj më parë, presidenti Joe Biden arriti marrëveshje me McCarthy-n për rritjen e tavanit të huamarrjes, që u nënshkrua në ligj nga Biden e kërkon rreth 1.5 trilion dollarë shkurtime shpenzimesh 10 vitet e ardhshme.

Republikanët e vijës së ashpër kërkojnë shkurtime më të thella, edhe me rreth 120 miliardë dollarë shtesë vetëm për vitin e ri fiskal, çka mund të ndikojë te programe që nga arsimi e mbrojtja e mjedisit dhe deri te kërkimet mjekësore.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50551 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE