“Tetori Rozë”, kryeministri Rama thirrje grave dhe vajzave të bëjnë mamografinë!

vovalbania October 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Tetori Rozë”, kryeministri Rama thirrje grave dhe vajzave të bëjnë mamografinë!

Në nisje të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, kryeministri Edi Rama iu drejtohet me një thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të kryejnë mamografinë, të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për veten. Gjithashtu iu kujtoi familjeve për t’u përkujdesur ndaj nënave, grave, motrave e vajzave që të kryejnë kontrollet mjekësore për të parandaluar surpriza të padëshiruara shëndetësore.

“Tetori Rozë”, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu apeloi që gratë dhe vajzat të përfitojnë nga programi i mamografisë falas, duke u kontrolluar në kohë. Koçiu theksoi se shtrirja e mbulimit me mamografi falas në mbarë vendin, si dhe zgjerimi i reparteve onkologjike në spitalet rajonale, kanë bërë që vit pas viti të rritet numri i diagnostikimeve të hershme e të ulen fatalitetet.

Tetori është caktuar si Muaji i Ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen e mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje. Zonja e Parë, Armanda Begaj, i bashkohet  “Tetorit Rozë”, si pjesë e përpjekjes mbarëbotërore të sensibilizimit për kujdesin shëndetësor. Në një mesazh të posaçëm, këtë muaj e vlerëson si moment për reflektim, ndërgjegjësim e solidaritet.

Gjatë 31 ditëve të tetorit, secili nga ne, të ketë një moment reflektimi për çfarë do të thotë të jetosh normalisht në çdonjërën nga 365 ditët e vitit pas diagnostikimit me kancerin e gjirit.

Eksperiencat janë unike për këdo, por të gjithë besojmë se për të përqafuar plotësisht jetën duhet gjetur dëshira për t’u informuar, kuraja për t’u diagnostikuar, forca për ta pranuar vetë e ndarë me të tjerë, optimizmi për ta kuruar kancerin e gjirit, por mbi të gjitha energjia për t’u përfshirë në aktivitete dhe marrëdhënie që sjellin gëzim e kënaqësi, që rrisin cilësinë e jetës.

Me gjithë vështirësitë për të kuptuar sfidat specifike me të cilat duhet të përballen, nënat, bashkëshortet, motrat, bijat e miket, të gjithë ne, familja e miqtë, të jemi mbështetësit më të mirë që ato të sfidojnë frikën, ankthin dhe madje edhe zemërimin pas diagnostikimit me kancerin e gjirit apo të çdo lloji tjetër dhe të nisin një jetë normale të re.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE