Amerika e gatshme ta këshillojë Kosovën për statutin e Asociacionit!

vovalbania October 04, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Amerika e gatshme ta këshillojë Kosovën për statutin e Asociacionit!

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç saktëson se reduktimi i numrit të ushtarëve përgjatë vijës administrative me Kosovën, nuk do të thotë tërheqje e një pjese të njësive. Në një intervistë televizive për mediat vendase foli për pakësim të angazhimit, duke theksuar se ata po kthehen në garnizonet, kazermat e në aktivitetet e tyre të rregullta.

Ministri Vuçeviç i mohon akuzat se Serbia po përgatitej të bënte diçka duke mbledhur njësi e trajnuar grupin e përfshirë në sulmin e Banjskës, në veri të Kosovës. Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes e të tjera struktura të ushtrisë si Inteligjenca dhe Agjencia e Sigurisë po monitorojnë situatën në Kosovë. Më 29 shtator, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë të tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.

Uashingtoni zyrtar thotë se “sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë”. Zv.zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel u pyet në një konferencë për media dhe u shpreh:

I kemi parë raportet, nuk dalim para hetimit. E dimë se sulmi ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë. Ata që u përfshinë në planifikimin dhe kryerjen e këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë.

Më herët u mësua lirimi i Milan Radoiçiçit, një ditë pas marrjes në pyetje lidhur me sulmin e Banjskës, të cilin e mori përsipër. Raportohet se gjyqtari i procedurës paraprake refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit, të kërkuar me argumentin se ekziston rreziku i arratisjes. Me vendimin e sotëm, Radoiçiçit i ndalohet largimi nga territori i Serbisë, pa miratimin e gjykatës e nuk lejohet të shkojë në të Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë të Serbisë, në datat 1 dhe 15 të çdo muaji, Milan Radoiçiç duhet të paraqitet në polici. Po ashtu, iu konfiskua përkohësisht pasaporta e rrezikon paraburgim nëse shkel detyrimet. Serbia e akuzon për blerje të armëve, municioneve e mjeteve shpërthyese me forcë të madhe shkatërruese në Bosnje-Hercegovinë prej janarit të këtij viti e deri më 24 shtator.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç u zotua për të hetuar të gjitha rrethanat e asaj që ndodhi më 24 shtator në Banjskë e që për Prishtinën është “sulm terrorist”. Në një tjetër zhvillim, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta këshillojnë Kosovën në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Por, vuri në dukje se në fund, kjo çështje është në duart e Bashkimit Europian, si ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Por, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne ose të tjerët se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë.

Ky është reagimi i parë i ambasadorit Hovenier për këtë çështje, pas deklaratës së presidentes Vjosa Osmani se draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova duhet ta përgatisë bashkë me Shtetet e Bashkuara.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48813 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE