PS, projektrezolutë për sulmin në veri të Kosovës: Serbia të heqë dorë nga veprimet luftënxitëse dhe të dorëzojë kriminelët!

vovalbania October 04, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
PS, projektrezolutë për sulmin në veri të Kosovës: Serbia të heqë dorë nga veprimet luftënxitëse dhe të dorëzojë kriminelët!

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektrezolutë për dënimin e sulmit të armatosur terrorist në veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon. Projektrezoluta do të shqyrtohet paraprakisht në Konferencën e Kryetarëve për t’i kaluar pastaj për miratim seancës plenare të Kuvendit.

Përmes kësaj projektrezolute, PS shprehet thellësisht e shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, në datë 24 shtator 2023.

Projektrezoluta vjen në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve të saj Kushtetuese, si dhe në mbrojtje të vlerave demokratike, sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon.

Në përputhje me angazhimet Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikën e mbrojtjes së interesave strategjike kombëtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, PS dënon ashpër sulmin e armatosur dhe të organizuar terrorist mbi Policinë e Kosovës më datë 24 shtator 2023, i cili i mori jetën një punonjësi të Forcave të Policisë së Kosovës dhe shkaktoi dy të plagosur në radhët e saj.

PS përgëzon institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës për maturinë dhe profesionalizmin e tyre si dhe vlerëson forcat e EULEX-it dhe KFOR-it për gatishmërinë, bashkëpunmin dhe angazhimin në aksionin për zmbrapsjen e sulmeve kriminale të njësive terroriste dhe neutralizimin e përpjekjeve për përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosovës dhe destabilizimin e vendit.

PS mbështet çdo masë dhe veprim të ndërmarrë nga qeveria dhe institucionet e Kosovës për të parandaluar e goditur me mjete kushtetuese e ligjore përpjekjet për të cenuar, rrezikuar, sulmuar dhe rrëzuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, jetën, sigurinë dhe harmoninë e qytetarëve të saj.

Përmes kësaj projektrezolute, PS kërkon nga Serbia që të heqë dorë nga qëndrimet dhe veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Republikës së Kosovës, të hapë një hetim serioz e transparent ndaj tërë organizmave dhe shkaktarëve të operacioneve ushtarake terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe të dorëzojë kriminelët.

PS kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për të ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizmin dhe mbështetjen politike, logjistike e morale të akteve të grupit terrorist në veri të Republikës së Kosovës.

PS inkurajon dhe përkrah po ashtu të gjitha institucionet e Kosovës për punën, përkushtimin dhe përpjekjet që synojnë integrimin e plotë dhe bashkëjetesën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Përmes kësaj projektrezolute, PS i bën thirrje Bashkimit Europian, SHBA-së dhe aleatëve tanë strategjikë që të ngrenë në nivelin më të lartë alarmin dhe aksionin demokratik për të parandaluar rrezikun eminent që po i kanoset sigurisë dhe paqes në Kosovë, rajon e më gjerë.

PS vlerëson se prania e shtuar e KFOR-it në veri të Kosovës është një garanci për paprekshmërinë e kufijve të saj si dhe për sigurinë dhe paqen në tërë rajonin.

PS mbështet po ashtu përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për normalizimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë në një frymë paqësore e bashkëpunimi dhe bashkohet me qëndrimet e Presidentes së Republikës së Kosovës për vijimin e dialogut Kosovë-Serbi mbi bazën e një projekti të përpiluar nga SHBA lidhur me asocacionin, i cili duhet të jetë brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me kërkesat legjitime të saj.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49545 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE