Bujqësia në stanjacion, rritje zero për të 6-shtin tremujor radhazi!

vovalbania October 05, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Bujqësia në stanjacion, rritje zero për të 6-shtin tremujor radhazi!

Bujqësia, sektori më i madh në ekonomi ka hyrë në një periudhë stanjacioni. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit, bujqësia shënoi rënie me 0,04%. Ky ishte tremujori i 6-të radhazi ky sektor qëndron në vendnumëro.

Në 6-mujorin e parë të vitit 2023, ndryshimi i PBB-së në bujqësi ishte 0%, ndërsa për të gjithë vitin 2022, PBB në këtë sektor ndryshoi me vetëm 0.06%.

Ndonëse çmimet e prodhimeve bujqësore janë rritur dhe kërkesa nga jashtë për prodhime shqiptare është e lartë, prodhimi nuk i është përgjigjur zhvillimeve të kohës.

Të dhënat nga tregu sugjerojnë se dobësitë më të mëdha po shfaqen në sektorin e blegtorisë, ku rënia e prodhimit dhe krerëve ka qenë fortë. Në vitin 2022, numri i bagëtive në vend shënoi rënie me mbi 13%. Blegtoria është dega e dytë më e rëndësishme e bujqësisë dhe rënia e saj e ndikon gjithë sektorin bujqësor.

Zhvillimet kanë qenë pozitive në sektorin e serave, ku çmimet e larta të eksportit kanë nxitur zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella. Nga ana tjetër zhvillimet klimatike me një pranverë me shira dhe mot të ftohte dhe korriku super i nxehtë kanë dëmtuar frutat e prodhimin bujqësor në fusha këtë vit.

Fermerët në zonat me bujqësi intensive kanë rritur njohuritë dhe forcuar lidhjet me tregjet, duke ndikuar në rritjen e prodhimit dhe cilësisë, por emigrimi i popullsisë nga zonat rurale është kthyer në pengesë madhore.

Sektori bujqësor po përballet me emigrimin të lartë të forcës punëtore jashtë vendit dhe drejt sektorëve të tjerë të ekonomisë ku pagat janë më të mëdha. Bujqësia është punë e vështirë dhe paguhet pak, ndaj tendenca për zhvendosje nga ky sektor është shumë më i lartë se në sektorët tjetër.

Ekspertët rekomandojnë se politikat bujqësore në Shqipëri duhet të ri-shikohen për një vlerësim më të qartë në lidhje me përshtatshmërinë e kushteve klimaterike, përbërjes së tokës bujqësore, agroteknikës së kërkuar nga njëra anë dhe trendit botëror të tregtisë, pra e lidhur me kërkesën për produkte në një periudhe afatmesme-afatgjatë.

Studimet e IFC-së e Bankës Botërore dhe vlerësimit të eksporteve shqiptare, aktivitetet bujqësore me thyeshmëri më të lartë janë prodhimet perimore në serra, kryesisht domate, kastraveci, speci e luleshtrydhja, perimet e fushës që përfshijnë grupin e lakrës, lulelakrës, karotës dhe bostanit, i ndjekur nga agrumishtet që përfaqësohen nga mandarina. Sektori i bimëve medicinale vazhdon te jetë sektori prioritar në eksportet bujqësore.

Ndërkohë një trend pozitiv shikohet edhe prodhimtaria e rrushit për përpunim, nisur nga fakti i operimit të rreth 110 kantinave të verës. /Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48871 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE