Prokuroria e Beogradit ankohet ndaj vendimit për lirimin e Radoiçiçit!

vovalbania October 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Prokuroria e Beogradit ankohet ndaj vendimit për lirimin e Radoiçiçit!

Prokuroria e Lartë në Beograd paraqet ankesë kundër vendimit të gjyqtarit i cili i hodhi poshtë kërkesën për caktimin masës së paraburgimit ndaj Milan Radoiçiç lidhur me sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

Prokuroria argumenton se ekziston rreziku që ai të largohet. Radoiçiç mori përgjegjësinë e sulmit, si organizator.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit. Fillimisht mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku e në luftimet që pasuan në manastirin e Banjskës, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Milan Radoiçiç u lirua më 4 tetor, një ditë pas marrjes në pyetje. Gjyqtari i procedurës paraprake refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit, të kërkuar me argumentin se ekziston rreziku i arratisjes. Me vendimin e dy ditëve më parë, Radoiçiçit i ndalohet largimi nga territori i Serbisë, pa miratimin e gjykatës e nuk lejohet të shkojë në të Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë të Serbisë, në datat 1 dhe 15 të çdo muaji, Milan Radoiçiç duhet të paraqitet në polici. Po ashtu, iu konfiskua përkohësisht pasaporta e rrezikon paraburgim nëse shkel detyrimet. Serbia e akuzon për blerje të armëve, municioneve e mjeteve shpërthyese me forcë të madhe shkatërruese në Bosnje-Hercegovinë prej janarit të këtij viti e deri më 24 shtator.

Më 29 shtator, Milan Radoiçiç mori përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin në Banjskë të Kosovës së veriut. Në po të njëjtën ditë, Radoiçiç i cili është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi dorëheqjen si nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogadit zyrtar.

Po më 4 tetor u njoftua hapja për qarkullim e Bërnjakut, një prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Bashkë me Jarinjën, ky pikëkalim u mbyll më 24 shtator, pas sulmeve të armatosura ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Për pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit gjetën vdekjen edhe tre sulmues serbë. Ndërkaq, pika kufitare në Jarinjë vazhdon e mbyllur se siç konfirmojnë burime zyrtare policore, ende ka kërkime në terren në atë rajon.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE