Jo ushqime, jo drita, jo karburante, Izraeli rrethon totalisht Gazën/Ushtria izraelite thërret 300 mijë rezervistë!

vovalbania October 09, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Jo ushqime, jo drita, jo karburante, Izraeli rrethon totalisht Gazën/Ushtria izraelite thërret 300 mijë rezervistë!

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant urdhëroi “rrethimin e plotë” të Rripit të Gazës. Izraeli vendosi ndërprerjen e energjisë elektrike e nuk lejohet hyrja e furnizimeve ushqimore dhe e karburanteve. Shteti hebraik kontrollon hapësirën ajrore mbi Gaza e vijën e saj bregdetare, si dhe kufizon lëvizjet e njerëzve e të mallrave duke përzgjedhur ato që lejohen të hyjnë apo dalin nga pikat kufitare. Edhe Egjipti kontrollon se kush hyn e kush del nga kufiri i tij me Gazën.

Izraeli shpalli luftë duke i dhënë forcave të armatosura “dritën jeshile” për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit lidhur me sulmin e beftë të 7 tetorit. Në territorin izraelit raportohen mbi 700 viktima e 100 të rrëmbyer nga Hamasi.

Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas bombardimeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli, sipas zyrtarëve palestinezë. Autoritetet njoftuan se gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme, ushtria izraelite goditi mbi 1 mijë objektiva brenda Rripit të Gazës. Sot u dhanë alarme për sulme ajrore në Jerusalem e në të gjithë Izraelin, pasi Hamasi po vazhdon të hedhë raketa nga Gaza.

Po sot u raportuan të paktën tre shpërthime në Jerusalem. Nuk është e qartë nëse erdhën si pasojë e rënies së raketave apo parandalimit të tyre nga mbrojtja ajrore e Izraelit.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Daniel Hagari tha se ushtria ka rimarrë kontrollin në shumicën e komuniteteve në afërsi të Gazës, megjithëse vazhdojnë luftime të izoluara me palestinezë të armatosur. Ato zhvillohen në shtatë apo tetë vende brenda territorit të Izraelit.

Izraeli thirri rreth 300 mijë rezervistë për të luftuar kundër Hamasit. Këtë thirrje, ushtria e përshkroi si më të madhen në historinë e Izraelit për një kohë kaq të shkurtër. Mbi 123 mijë palestinezë në Rripin e Gazës janë zhvendosur brenda vendit, si pasojë e sulmeve ajrore nga Izraeli në enkllavën bregdetare, referuar Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare.

Njerëzit kanë ikur për shkak të frikës dhe sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar nga sulmet.

Cila është historia e konfliktit të Izraelit me Hamasin?

Izraeli ka një histori të gjatë armiqësie me Hamasin. Me grupin militant palestinez luftoi katër herë e kreu shumë operacione, duke shkaktuar qindra viktima palestineze.

Dy ditë më parë, militantët e Hamasit lëshuan mijëra raketa kundër Izraelit, duke vrarë qindra izraelitë. Izraeli e akuzon Hamasin për rrëmbimin e qytetarëve izraelitë dhe organizimin e protestave që i kërcënojnë kufijtë. Në anën tjetër, Hamasi dhe mbështetësit e tij akuzojnë Izraelin për shtypjen e palestinezëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre.

Rripin e Gazës, Hamasi e drejton që nga viti 2007. Hamasi në tërësi ose në disa raste krahu i tij ushtarak cilësohet si grup terrorist nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Britania e Madhe, si dhe nga fuqi të tjera.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49764 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE