“Flakë në det” në Shëngjin, SPAK sekuestron 11 pasuri të veprimtarisë kriminale!

vovalbania October 11, 2023 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
“Flakë në det” në Shëngjin, SPAK sekuestron 11 pasuri të veprimtarisë kriminale!

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vendosur sekuestrimin e 11 pasurive me kërkesë të SPAK-ut. Dyshohet se pasuritë e sekuestruara kanë burim veprimtarinë kriminale. Sipas njoftimit të publikuar nga Prokuroria e Posaçme dhe Krimit të Organizuar, pasuritë e sekuestruara lidhen me hetimet e nisura nga SPAK-u, pas operacionit policor “Flakë në det” në Shëngjin, për shkatërrimin e një grupi të strukturuar kriminal, të angazhuar në trafikimin e lëndëve narkotike. SPAK-u njofton se në këtë hetim janë bashkuar dy dosje hetimore.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 185 të vitit 2023 për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Me vendim të Prokurorisë së Posaçme procedimi penal nr.185 i vitit 2023 është bashkuar me procedimin penal nr.211 të vitit 2023.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se me datën, 31 Mars 2023 pas kryerjes së veprimeve hetimore në dinamikë, është ushtruar kontroll në automjetin Mercedez Benz me targë “AB 790 IK”, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 62 pako me peshë prej 41 kilogram e 695 gramë, lëndë narkotike e llojit “heroine”, si dhe është arrestuar në flagrancë i dyshuari Armando Papa dhe kanë vijuar hetimet për pjesëtaret e tjerë të grupit kriminal.

Në vijim të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna për faktin se nga pjesëtaret e këtij grupi kriminal, me datë 14 Gusht 2023, do trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit “cannabis sativa’’ nga vendi i quajtur Patok-Kurbin me mjete lundruese, nëpërmjet detit dhe kjo lëndë narkotike do të shkëmbehej në det me lëndë narkotike të llojit “kokainë” e cila do të transportohej me një mjet tjetër lundrues i cili drejtohej nga shtetas të huaj. Lënda narkotike më pas do të trafikohej nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal.

Pas administrimit të të dhënave dhe informacioneve nga policia gjyqësore u konstatua se ne dalje nga “Laguna e Patokut’’, Kurbin, u konstatua një mjet tip gomone duke udhëtuar me shpejtësi në drejtim të një mjeti lundrues “velierë’’ e identifikuar me pas si veliera “NIULA” me flamur të huaj e cila kishte hyrë pa njoftuar në ujërat territoriale Shqiptare, në afërsi të “Kepit të Rodonit”. Nga ana e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është komunikuar dhe bashkëpunuar me forcat e policisë italiane Guardia di Finanza (të cilat operojnë në Republikën e Shqipërisë dhe në Itali) me qëllim kapjen e dy mjeteve lundruese dhe sekuestrimin e lëndëve narkotike në bashkëpunim me policinë gjyqësore që po ndiqnin hetimet.

Mjetet lundruese janë mbajtur në mbikëqyrje dhe ndjekje të vazhdueshme nga ana e policisë gjyqësore. Në momentin që mjetet e policisë janë parë nga të dyshuarit, shtetasit Ukrainas K. P. dhe K. B., që ndodheshin në mjetin lundrues ‘’veliere’’, i kanë vënë flakën mjetit lundrues në të cilin ndodhej lënda narkotike dhe kane zbritur në një mjet shpëtimi, ndërsa mjeti tjetër lundrues që drejtohej nga shtetas shqiptarë, i nisur nga “Laguna e Patokut”, Kurbin, është larguar me shpejtësi duke u ndjekur nga forcat e policisë . Ky mjet është bërë e mundur të sekuestrohet pas disa orësh ndjekje nga ana e policisë. Hetimet evidentojnë se ky mjet lundrues drejtohej nga i dyshuari B. B. Gjatë këqyrjes së kryer në vendin ku u konstatua mjeti lundrues ‘’Velierë’’, policia gjyqësore gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale pako me lëndë narkotike të llojit “canabis sativa” të cilat nuk kanë arritur të digjen plotësisht.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezulton se ka dyshime se personat nën hetim G. Ç., R. G., A. D. duke bashkëpunuar me A. I., A. M., N. Ç., B. B., K. P., K. B., A. P., D. M., me detyrë Shef i Komisariatit Kurbin dhe persona të tjerë të paidentifikuar akoma, në formën e një grupi të strukturuar kriminal kanë konsumuar elementët e veprave penale të ‘’Trafikimi i narkotikeve’’, ’’Pastrimi i produkteve te veprave penale’’, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Pas të dhënave të administruara gjatë hetimit për pasuri të përfituara nga të ardhurat e aktivitetit kriminal, është regjistruar procedimi pasuror nr.14/2023 dhe në kuadër të këtij procedimi pasuror, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.27 datë 09.10.2023 ka vendosur sekuestrimin e 11 pasurive. Hetimet lidhur me këtë procedim penal vazhdojnë me qëllim evidentimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”.

Pasuritë e sekuestruara:

1.   Shoqëria “Royal Blue” Sh.p.k, e themeluar në datë 26 Tetor 2022 me administratore dhe ortake të vetme me 100% të kuotave shtetasen M.Th. me objekt aktiviteti Bar Restorant dhe adresë Lezhë, Laç, Qarku Lezhë, Bashkia Laç, Njësia administrative Fushë-Kuqe, Fshati Patok, Pasuria nr. 1759, Zona kadastrale 1673;

2.   Automjet i markës Volkswagen, modeli Golf viti i prodhimit 2020 ngjyrë e bardhë me targë, në pronësi të N. Ç.;

3.   Automjet i markës Audi, modeli Q8, viti i prodhimit 2018, ngjyrë e bardhë, në pronësi të N. Ç.;

4.   Automjet i markës Audi, modeli A8, viti i prodhimit 2017, ngjyrë gri e errët, në pronësi të shtetasit A. I.;

5.   Automjet i markës Wolkswagen, modeli Golf, viti i prodhimit 2015, gjyrë gri, në pronësi të shoqërisë “Ayla” shpk.;

6.   Mjet lundrues tip Gomone, me ngjyrë gri, me gjatësi 9 m dhe gjerësi 2.7 m, me tre motorë me ngjyrë të zezë, të markës Yamaha 350 V8;

7.   Kartëmonedha të prerjes 50 euro, 200 copë, sekuestruar shtetasit A. I.;

8.   Shuma monetare 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) Euro, 500 (pesëqind) paund britanik, 50 (pesëdhjetë) franga zvicerane dhe 2 344 500 (dy milion e treqind e dyzetë e katër mijë e pesëqind) lekë, sekuestruar shtetasit N. Ç.;

9.   Mjet ujor Zip, gomone me gjatësi rreth 7 metra, me 1 motorr ‘entrobord’, tip Ratox me numër M6237725, ngjyrë e zezë e vendosur në karrelin me numër ROMA86/52;

10.         Mjet ujor tip gomone me ngjyrë gri me mbishkrimin AKUILA NERA SEM, me 1 motorr tip SUZUKI, me fuqi 150 hp me numër 02/0z/580020;

11.         Mjet ujor tip gomone, ngjyrë e zezë me gjatësi rreth 10m me mbishkrimin “G-RS”, me 2 motor tip Suzuki me fuqi 300 hp secili me numra 3000ZP – 245968 dhe 3000ZP – 245/92.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49201 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE