Vitin e kaluar, numri i familjeve ra me ritmin më të lartë në dy dekada!

vovalbania October 11, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vitin e kaluar, numri i familjeve ra me ritmin më të lartë në dy dekada!

Numri i familjeve shqiptare po pëson rënie të shpejtë. Sipas INSTAT-it, vitin e kaluar, në të gjithë vendin numëroheshin 758 mijë e 973 familje ose 6 mijë e 578 më pak se më 2021-shin. Të dhënat zyrtare që datojnë nga 2007-ta tregojnë se kjo ishte rënia më e madhe që nga ai vit.

Dy dekadat e fundit, popullsia e vendit erdhi në rënie, por njësitë familjare ishin në rritje. Kjo ndodhi pasi stili i jetesës e ndryshoi strukturën e familjes gjatë tranzicionit.

Më parë, gjatë komunizmit kishte më shumë se një kurorë në një familje, por kjo nuk është e zakontë tani kur fëmijët në moshën madhore të martuar ose jo, zhvendosen si familje më vete.

Emigracioni masiv që po vijon në dekadën e tretë të tranzicionit ka nisur të reduktojë edhe numrin e familjeve, të cilat po bien në mënyrë sistematike që nga viti 2019 deri më 2022-shin e në vijim.

Në vitin 2018 numëroheshin rreth 3 mijë e 100 familje më shumë se më 2017-ën, ndërsa në vitin 2019, njësitë familjarë ranë me rreth 1 mijë. Në vitin 2020 rënia ishte me shumë se 2 mijë e 600 familje, më 2021-shin ishin 3 mijë e 400 familje më pak dhe më 2022-shin, rënia u dyfishua me mbi 6 mijë e 600 familje.

Të dhëna më të detajuara referojnë se rënia u krijua nga një eksod masiv vitin e kaluar drejt Britanisë së Madhe me gomone, ndërsa largimet drejt vendeve të Bashkimit Europian u shtuan.

Të dhënat e Eurostat-it dhe qeverisë britanike bënë të ditur se vetëm kërkesat për azil ishin 32 mijë persona, kryesisht të rinj, por një pjesë e mirë e tyre emigruan me gjithë familjen.

Sipas INSTAT-it, më 1 janar 2023, popullsia e vendit ishte 2,761.785 banorë, duke pësuar rënie me 1,1%, krahasuar me 1 janar 2022.

Migracioni neto i grave shënon vlerën -12.496 gra të emigruara më shumë se të kthyera në vitin 2022. Migracioni neto i burrave gjithashtu është negativ, -20.001 burra të emigruar më shumë se të kthyer.

Migracioni neto negativ i burrave dhe i grave ka ndikuar në rënien e përgjithshme të popullsisë dhe familjeve gjithashtu.

Anketa të mëparshme nga INSTAT-i kanë arritur në përfundimin se në dekadën e fundit, emigracioni mori tiparet e largimit të njësive familjare. Pas heqjes së vizave në vitin 2013, shanset për të emigruar me gjithë familjen u rritën.

Gjeografia e emigracionit ka prekur edhe qarqet me nivelin më të lartë të jetesës si Tirana, Fieri dhe Durrësi, ku përgjithësisht të ardhurat mesatare të familjeve janë mbi mesataren kombëtare.

Anketa e emigracionit 2011-2019 konkludoi se qyteti i Shkodrës pati nivelin më të lartë të emigracionit në raport me popullsinë e qarkut.

Popullsia e Qarkut të Tiranës është pakësuar me 13.7% ose me 102 mijë persona gjatë 2011-2019, por 77 mijë persona kanë migruar të grupuar në familje. Anketa ka zbuluar se Tirana ka emigracionin më të lartë të njësive familjare krahasuar me qarqet e tjera.

Gjatë periudhës, 10.3% e familjeve të qarkut kanë emigruar.

Të dhënat tregojnë se fenomeni e emigrimit me familje është thelluar më tej gjatë 2019-2022, pasi kjo reflektohet në reduktim të njësive familjare në këtë periudhë./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48828 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE