Rama në Kuvend: Vetëdobësimi diplomatik i Kosovës po na vështirëson përpjekjet!

vovalbania October 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rama në Kuvend: Vetëdobësimi diplomatik i Kosovës po na vështirëson përpjekjet!

Sot në Kuvend ku në seancë pritet të miratohet një rezolutë për Kosovën, kryeministri Edi Rama tha se pozicioni “i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës” në sytë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian po vështirësojnë përpjekjet e Shqipërisë për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në veri.  Rama tha:

Viktimizimi diplomatik i Serbisë falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut, po ashtu po ndikon në përpjekjet e Shqipërisë.

Rama i bëri thirrje Kosovës të mos e humbasë “shansin historik” për t’u ulur në tryezën e negociatave me planin franko-gjerman, si dhe të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që sipas tij është kthyer në “litar që po ia shtrëngon këmbët Kosovës”.

Shefi i qeverisë vuri në dukje se Kuvendi i Kosovës ka të drejtë dhe për detyrë të miratojë rezolutën për sulmin në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Kjo pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur, ndërsa shtoi se Shqipërisë i takon ta mbështesë atë rezolutë.

Më 28 shtator, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që dënon sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë e rolin serb në këtë sulm.

Ndërkaq, Rama theksoi se nuk lëkundet nga qëndrimi i tij se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun, duke theksuar se “është prezent rreziku i përshkallëzimit me armë të konfliktit në veri, edhe përmes ndikimit rus”.

Çfarë përmban projektrezoluta për Kosovën?

Në draftin e dakorduar nga palët dhe që po diskutohet nga deputetët theksohet:

Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën e miratuar më 28 shtator në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Shqipërisë që në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe në kontaktet bilaterale me partnerët, të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës.

Rezoluta inkurajon Qeverinë e Kosovës që të “punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva” me aleatët strategjikë, Bashkimin Europian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë e njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51011 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE