Shtyhet ndeshja kualifikuese mes Kosovës dhe Izraelit!

vovalbania October 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Shtyhet ndeshja kualifikuese mes Kosovës dhe Izraelit!

Tensionet e fundit në Lindjen e Mesme që kanë kulmuar me  luftën mes izraelitëve dhe militantëve palestinezë të Hamasit bënë që UEFA të shtyjë për një kohë të pacaktuar ndeshjen e Grupit I, Kosovë-Izrael të 15 tetorit, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024-ës.

Federata e Futbollit të Kosovës, FFK tha se u njoftua nga UEFA për shtyrjen e ndeshjes së përcaktuar të zhvillohej të dielën në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Deri te ky vendim, UEFA erdhi si pasojë e situatës së krijuar së fundmi në Izrael ku është shpallur gjendje lufte e për rrjedhojë autoritetet izraelite aktualisht nuk lejojnë asnjë prej ekipeve sportive të udhëtojnë jashtë vendit.  UEFA do të njoftojë për datën e re të takimit.

Ekipi izraelit pritej të udhëtonte për në Prishtinë të shtunën, me synimin për një rezultat që do ta mbante në garë për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian të verës së ardhshme në Gjermani. Ndërsa izraelitët ende kanë shpresa të mëdha, Kosova e ka humbur optimizmin për atë që do të ishte pjesëmarrja historike në një event të madh të futbollit.

Kosova është e parafundit në Grupin I, me vetëm katër pikë nga gjashtë ndeshje, ndërsa Izraeli ka 11 pikë, vetëm tre larg Zvicrës kryesuese dhe një larg Rumanisë.

Në përballjen e parë mes tyre në këtë grup në Tel Aviv, më 25 mars, Izraeli dhe Kosova barazuan 1:1.

Ndërkaq, sonte në orën 20:45, Shqipëria luan një nga tre finalet për kualifikimin në Euro 2024 për fluturimin drejt Gjermanisë. Nuk ka dyshime se kjo është sfida më e rëndësishme e kombëtares shqiptare që nga Francë 2016.  Si asnjëherë më parë, pak nga fundi i një faze kualifikuese jemi kryesues të grupit dhe një fitore na mban në krye deri në nëntor, por mbi të gjitha një trepikësh ndaj Çekisë do të thotë praktikisht kualifikim në Europian. Edhe një barazim mund të konsiderohet një rezultat që vlen për llogaritë e kualifikimit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48803 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE