Shkodër, tre në pranga për kultivim kanabisi me llamba!

vovalbania October 18, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shkodër, tre në pranga për kultivim kanabisi me llamba!

Zbulohet shtëpi bari në Trush të Shkodrës, tre në pranga për kultivim të kanabisit me llamba. Kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtues i Parë Edmond Sulaj, dha detaje mbi operacionin policor ku u sekuestruan dhe armë e municione.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara se në fshatin Trush i Poshtëm, njësia administrative Bushat, një banesë e pabanuar ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Trushi”.

Gjatë operacionit u zbulua se banesa e pabanuar ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike. Në pjesën hyrëse të banesës dhe në katër dhomat e saj u gjetën dhjetëra bimë narkotike të kultivuara në vazo, me anë të llambave elektrike. Nga këqyrja e ambienteve të banesës, përveç bimëve narkotike të kultivuara në vazo, u konstatua një sistem i përparuar elektrik dhe kondicionimi, i cili ishte i montuar në të katërta dhomat e banesës dhe në hyrje të saj.

Në momentin e ndërhyrjes nga ana e shërbimeve policore, në banesën e përshtatur si laborator, u kap në flagrancë duke u kujdesuar për bimët narkotike, shtetasi Lorenc Trieshi, 34 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.  Po nga këqyrja e banesës u konstatua se kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që shërbente për furnizimin e pajisjeve elektrike që përdoreshin për kultivimin e bimëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 82 llamba dhe aparate të ndryshme elektrike, 5 aspiratorë, si dhe u morën për ekspertim 123 bimë narkotike që ishin kultivuar në vazo.

Gjithashtu, nga kontrolli përreth banesës, në një ambient tjetër të përshtatur për tharjen e bimëve narkotike, u gjetën 2 mjete lundruese tip “Jet Ski”, pa dokumentacion.  Nga veprimet e shpejta në vendngjarje, u bë i mundur identifikimi i autorëve të kësaj veprimtarie kriminale, konkretisht shtetasit: Dedë Laca, 64 vjeç dhe djali i tij Anton Laca, 36 vjeç, të cilët u kapën menjëherë dhe u ndaluan nga shërbimet e Policisë.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi i kapur në flagrancë në banesën e përshtatur, Lorenc Trieshi, është nipi i shtetasit Dedë Laca. Në përfundim të hetimeve paraprake u bë arrestimi në flagrancë i këtyre 3 shtetasve, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të kryera në bashkëpunim. Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e organizatorëve të kësaj veprimtarie kriminale, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov me 2 karikatorë me fishekë, 1 armë gjahu sportive, 2 automjete, tip “Range Rover” dhe tip “Benz”, prodhime të viteve të fundit.

Në vijim të operacionit u shoqëruan në ambientet e Policisë, kryetari i fshatit Trush i Poshtëm, shtetasi K. D., 38 vjeç, lexuesi i matësve elektrikë në zonë, shtetasi Z. N., 26 vjeç, si dhe elektricisti i zonës, shtetasi F. H., 29 vjeç, ndaj të cilëve u referuan materialet procedurale në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49673 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE