Amerika mbështet Izraelin, por nuk ofron trupa për luftë me Hezbollahun!

vovalbania October 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Amerika mbështet Izraelin, por nuk ofron trupa për luftë me Hezbollahun!

Lufta mes Hamasit dhe Izraelit vazhdon me sulme të reja në Rripin e Gazës. Deri tani janë vrarë rreth 3 mijë e 500 civilë palestinezë e 12 mijë u plagosën. Sa i përket të vrarëve në Izrael janë më tepër se 1 mijë e 400. Rreth 200 vetë mbahen peng nga Hamasi.  Pas një vizite shtatë-orëshe në Tel Aviv, presidenti amerikan, Joe Biden tha se “nuk ka prioritet më të lartë se lirimi i pengjeve”, ndërsa njoftoi 100 milion dollarë ndihma humanitare për Gazën.

Siç saktësoi shefi i Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë ofruar trupa Izraelit nëse grupi militant pro-iranian, Hezbollah fillon luftën nga territori i Libanit.  Ndërkaq, Egjipti dha miratimin që nesër të hapet pikëkalimi kufitar Rafah, për 20 kamionë me ndihma.

Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se Gaza ka nevojë për 100 kamionë ndihma humanitare në ditë. Rripi i Gazës është shkatërruar nga bombardimet e pareshtura izraelite që nga 7 tetori, kur Hamasi kreu një sulm të përgjakshëm kundër Izraelit. Duke folur për CNN-in, numri një i OKB-së për Ndihma Humanitare, Martin Griffiths, tha se “ky do të duhej të ishte programi i ndihmave për Gazën” madje edhe para se të niste lufta, rreth dy javë më parë.

Luftëtarët e Hamasit ka të ngjarë që të kenë përdorur armë të Koresë së Veriut gjatë sulmeve të 7 tetorit ndaj Izraelit. Agjencia e lajmeve, Associated Press thotë se ky përfundim doli pas analizimit të një videoje dhe armëve që janë kapur nga Izraeli, pavarësisht se Koreja komuniste mohon se i shet armë grupit militant palestinez. Video u analizua nga dy ekspertë për armatimet e Phenianit.

Hamas ka përdorur raketahedhës F-7, që zakonisht luftëtarët i përdorin kundër autoblindave. Këto dëshmi hedhin dritë mbi dërgesat e paligjshme të armëve që Koreja e Veriut, shtet i goditur nga sanksionet ndërkombëtare i përdor në mënyrë që të financojë programet e saj të armëve. F-7 është dokumentuar të jetë përdorur edhe në Siri, Irak, Liban e në Rripin e Gazës

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48987 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE