Buxheti 7 miliardë euro, nis diskutimi në Kuvend!

vovalbania November 01, 2023 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Buxheti 7 miliardë euro, nis diskutimi në Kuvend!

Sot në Konferencën e Kryetarëve në Kuvend, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete prezantoi projektbuxhetin dhe Paketën Fiskale 2024.  Mete theksoi se për herë të parë, projektbuxheti 2024 tejkalon 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara. Në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, pa u shoqëruar nga masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek miradministrimi fiskal.

Siç vlerësoi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, ndërkohë që perspektiva ekonomike në vazhdim mbetet pozitive. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Fondamentet makroekonomike, theksoi ai, kanë rezultuar të qëndrueshme gjatë kësaj periudhe sfidash. Sipas Metes, kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend.

Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar. Edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rishikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2023. Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim.

Sa i takon inflacionit, Mete bëri të ditur se ka qëndruar në nivele më të ulëta se vendet e rajonit dhe se mesatarja e vendeve të BE-së. Në muajin shtator 2023, inflacioni zbriti në nivelin 4.1%, i përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.

Ministri informoi se të ardhurat buxhetore në raport me PBB-në për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB-së, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022. Sipas tij, kjo rritje bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.

Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qendrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.

Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33.4% të shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, bonusin e bebes, etj.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së.

Ambicia e qeverisë, e shprehur në projektbuxhet është që këtë qëndrueshmëri dhe moment pozitiv ekonomik ta përkthejmë në mirëqenie për qytetarët, duke synuar të ofrojmë punësim cilësor dhe ndër pagat më të larta në rajon. Gjithashtu, turizmi është një sektor që mbështetet nga projektbuxheti, me synimin që Shqipëria të kthehet në një nga destinacionet kryesore të turizmit në rajon”, shpreh kreu i financave publike.

Në krahun e shpenzimeve, në projektbuxhetin 2024, ministri bëri të ditur se janë parashikuar të shpenzohen 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 30.4 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2023.

Sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë, në arsim, shpenzimet buxhetore parashikohen të rriten në vlerë nominale dhe në raport me Produktin e Brendshëm prej mbi 3% përgjatë periudhës 2024-2026.

Përveç rritjes së pagave të parashikuar për mësuesit në vitin 2024, në këtë sektor do të financohen me përparësi ofrimi i një shërbimi arsimor cilësor për nxënësit që ndjekin arsimin parauniversitar duke siguruar ndër të tjera: tekste shkollore falas, bursa apo kuota ushqimore për nxënës me nevoja të veçanta, si dhe transport për nxënës dhe mësues që mësojnë dhe punojnë larg vendbanimit të tyre, si dhe rritja e fondeve grant për institucionet e arsimit të lartë publik duke mbështetur ngritjen e infrastrukturës universitare si dhe mbështetjen e studentëve që ndjekin degët në programet prioritare dhe studentëve ekselentë.

Sektori i Shëndetësisë, gjithashtu do të qëndrojë mbi 3% të PBB mesatarisht për periudhën 2024-2026.

Përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët, do të financohen me prioritet edhe financimi i shërbimeve shëndetësore parësore e spitalore, rritja e kosto-efektivitetit të listës së barnave e pajisjeve të rimbursueshme ku për vitin 2024 parashikohet që për trajtimin me recetë rimbursimi të barnave do të përfitojnë rreth 400 mijë pacientë me kosto në total prej 12 miliardë lekë dhe financimi i paketave të miratuara të shërbimit spitalor në spitalet publike e jopublike.

Në fushën e turizmit, synohet diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor duke promovuar gjerësisht Shqipërinë nëpërmjet sigurimit të zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare, ofrimit të shërbimit të pastrimit gjatë sezonit turistik duke e shtrirë këtë shërbim në të gjithë vijën bregdetare për vitin 2024, zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të reja në turizëm, si dhe përmirësimi i imazhit të vendit duke financuar aktivitete të rëndësishme promovuese, si dhe mbështetjen e projekteve të rëndësishme në transport, në vijën bregdetare, por edhe në ndërlidhjen rajonale.

Defiçiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të PBB. Balanca primare, në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit, planifikohet 0.2%, në një përmirësim nga niveli neutral, që pritet në fund të vitit 2023.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51011 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE