Sveçla: Policia gëzon “mbështetje të veçantë”, pas protestës së njësive speciale

vovalbania November 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sveçla: Policia gëzon “mbështetje të veçantë”, pas protestës së njësive speciale

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të mërkurën se Policia e Kosovës gëzon “mbështetje dhe fokus të veçantë”, pasi dy njësi speciale policore protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës më herët gjatë ditës, duke kërkuar rritje të shtesave për rrezikshmërinë në punë.

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive gjatë protestës në Prishtinë shpalosën disa kërkesa, si kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Në një reagim pas protestës në rrjetin social Facebook, Sveçla tha se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot “janë mbi 2.200 euro”, pa dhënë ndonjë hollësi shtesë.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”, shkroi Sveçla.

Por, një përfaqësues i njësive elite policore tha gjatë protestës së “ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesa e veçantë që e kemi gëzuar nga viti 2010, u ndalua e tëra”.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtesat për rrezikshmërinë në punë, të ndarë në shtatë kategori.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Këto shtesa, sipas ekzekutivit, do të aplikohen nga nëntori, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.

Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

Policia e Kosovës është formuar 24 vjet më parë dhe numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49060 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE