SPAK bashkon kallëzimet e maxhorancës dhe opozitës/Pritet të thërrasë Sinajn e Nallbatin!

vovalbania November 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
SPAK bashkon kallëzimet e maxhorancës dhe opozitës/Pritet të thërrasë Sinajn e Nallbatin!

Kallëzimet e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike lidhur me incidentin e seancës plenare të 30 tetorit mes deputetëve Vullnet Sinaj e Bledjon Nallbatit në Kuvend, janë bashkuar në një të vetme nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bëjnë të ditur se dy deputetët, Sinaj e Nallbati do të thirren nga SPAK-u në orët në vijim. Atyre do t’u kërkohet të kryejnë ekspertim mjeko-ligjor, për të provuar nëse kanë probleme shëndetësore që mund të kategorizohen për t’u hetuar.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kallëzoi penalisht deputetin demokrat, Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e së hënës ndaj deputetit socialist, Vullnet Sinaj. Duke përmendur goditjen e Sinajt, në kallëzimin që mban firmën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, pretendohet se Nallbati ka konsumuar veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

I denoncuar për akuzën “Goditje për shkak të detyrës” të deputetit socialist Vullnet Sinaj, Nallbati po përdor si mburojë një kallëzim tjetër, të firmosur prej Gazment Bardhit e ku kërkohen hetime për të njëjtën vepër, por me të denoncuar deputetin socialist Sinaj.

Veprimet hetimore do të vërtetojnë se cili deputet goditi dhe kush u godit e po ashtu nëse mund të konsiderohet apo jo sulmi, goditje për shkak të detyrës si parlamentar.

Incidenti ndodhi të hënën, pasi deputetët e opozitës penguan vijimin e rendit të ditës në Kuvend dhe krijuan tensione. Kaosi shënoi edhe seancën e sotme.

Në përfundim të seancës plenare, që sërish u shoqërua me bllokime për shkak të aksionit të opozitës, në Kuvend shkuan oficerë të policisë gjyqësore. Ata po mbledhin provat në sallë, ku karriget i gjetën të përmbysura. Në godinë hyri edhe kreu i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj.

Ende pa nisur zyrtarisht seanca plenare, në mëngjes, disa nga deputetët e “Rithemelimit” të kryesuar nga Berisha shkuan në Kuvend duke marrë karriget e maxhorancës dhe i përmbysën para foltores, në shenjë proteste. Votimi i ligjeve u bë me shpejtësi, mes deputetëve që përplasnin duart në tryeza e ndezën tymuese në ngjyra blu e mavi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51081 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE