Operacionet e ngarkim-shkarkimit të anijeve u pezulluan për shkak të motit, rifillon veprimtaria në terminalet portuale!

vovalbania November 03, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Operacionet e ngarkim-shkarkimit të anijeve u pezulluan për shkak të motit, rifillon veprimtaria në terminalet portuale!

Pas përkeqësimit të kushteve të motit gjatë ditës së sotme, i cili shkaktoi pezullimin e përkohshëm të operacioneve të ngarkim-shkarkimit të anijeve, ka rifilluar gradualisht veprimtaria në terminalet portuale.

Sipas një njoftimi të APD-së, ekipet operacionale dhe ato të Emergjencave Civile të Portit të Durrësit janë në gatishmëri të plotë për t’i ardhur në ndihmë përdoruesve të Portit, si dhe në mbështetje të strukturave të Bashkisë Durrës në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike, ndërsa po ndiqet situata nga ekipet e APD-së në bashkërendim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe Kapitenerinë e Portit të Durrësit.

Stuhia ‘Ciaran’ që ka prekur disa vende të Europës, ka përfshirë mesditën e sotme edhe vendin tonë duke krijuar vështirësi të madhe në qarkullimin e mjeteve.

Reshjet e pazakonta që përfshinë kryeqytetin kanë përmbytur disa rrugë në Tiranë, ndërsa lumi Lana në disa zona ka dalë nga shtrati duke krijuar vështirësi në qarkullim.

Sakaq nga akset rrugore më të qarkullueshme autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku. Edhe në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, qarkullimi është bllokuar, pasi rrugët janë përmbytur deri në disa centimetra, siç shihet edhe nga videot e siguruara nga Report Tv.

Në një tjetër video të siguruar nga Report Tv, policia rrugore shihet duke pastruar autostradën në aksin Rinas-Tiranë, nga degët e thyera të pemëve.

Ndërkohë në qytetin e Durrësit, kanë mjaftuar vetëm pak minuta shi dhe rrugët janë përmbytur duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e makinave.

Kushtet e përkeqësuar atmosferike në gjirin e Vlorës dhe Shëngjin, sollën edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit.

Sipas njoftimit të kapitenerisë së portit të Vlorës, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. Ndërkaq në Shëngjin shpejtësia e erës në det hapur është 18m/s, ndërsa dallgëzimi ka arritur deri në 7 ballë.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet të jetë ditën e nesërme pas orës 20:00.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE