Si u krijua grupi palestinez Hamas?

vovalbania November 04, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Si u krijua grupi palestinez Hamas?

Sot mbushen 4 javë nga dita kur Hamasi nisi sulmet ndaj Izraelit, duke vrarë 1 mijë e 400 izraelitë dhe mori peng mbi 240 persona. Ndërsa 7 tetori përbën ditën më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit, sulmi i asaj të shtune të rreth një muaji më parë, shkaktoi fillimin e një lufte mes Izraelit dhe Hamasit, që vijon me bombardime izraelite në Rripin e Gazës, më të rëndat në 75 vitet e konfliktit. Mbi 9 mijë palestinezë janë vrarë, ndërsa Izraeli zotohet ta zhdukë Hamasin. Por, si u krijua ky grup?

ÇFARË ORGANIZATE ËSHTË HAMASI?

Hamasi, që në arabisht do të thotë Lëvizja e Rezistencës Islamike, u themelua në vitin 1987 nga Vëllazëria Myslimane gjatë Intifadës (kryengritjes) së parë Palestineze.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Kanadaja e Japonia. Aktivitetet e armatosura i cilëson “rezistencë kundër pushtimit izraelit”.

CILAT JANË SYNIMET E HAMASIT?

Hamasi dëshiron të gjithë territorin midis Detit Mesdhe dhe lumit Jordan, i cili përfshin shtetin modern të Izraelit, Bregun Perëndimor e Rripin e Gazës. Hamasi nuk e njeh shtetin e Izraelit dhe i ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjet e paqes të Oslos mes Izraelit e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), të arritura në mesin e viteve ’90.

Karta e themelimit e Hamasit, e publikuar në vitin 1988 bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, megjithëse në disa raste, udhëheqësit e Hamasit  kanë ofruar një armëpushim afatgjatë me Izraelin, në këmbim të një shteti palestinez të qëndrueshëm në të gjithë territorin palestinez të pushtuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967. Izraeli e konsideron këtë si një përpjekje për mashtrim.

SI ERDHI NË PUSHTET HAMASI?

Hamasi e kontrollon Rripin e Gazës që nga viti 2007, pas një lufte të shkurtër civile me forcat besnike të lëvizjes Fatah, të udhëhequra nga presidenti Mahmoud Abbas, i cili është i vendosur në Bregun Perëndimor dhe kryeson Organizatën për Çlirimin e Palestinës, me pikëpamje më laike.

Marrja e kontrollit të Rripit të Gazës nga Hamasi pasoi fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare palestineze të vitit 2006, hera e fundit që janë mbajtur në këtë zonë. Hamasi akuzoi Abbasin për komplot kundër tij. Ngjarjet e atij viti, Abbas i konsideroi grushtshtet.

Që nga vitit 2007, ka patur një numër konfliktesh mes Hamasit dhe Izraelit, duke përfshirë sulme me raketa të Hamasit nga Rripi i Gazës në Izrael dhe sulme ajrore e bombardime izraelite të Gazës.

KUSH JANË MILITANTËT E HAMASIT?

Krahu i armatosur i Hamasit janë Brigadat “Izz el-Deen al-Qassam”, që dërguan drejt Izraelit militantë të armatosur e të veshur me jelekë vetëvrasës, si dhe hodhën me mijëra raketa e predha mortajash.

Krahu ushtarak i Hamasit është shumë sekret dhe drejtohet nga Mohammed Deifi, truri i sulmit të 7 tetorit në Izrael. Hamasi ka baza në mbarë Gazën, si dhe anëtarë në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli e më gjerë. Shumë prej drejtuesve dhe luftëtarëve mendohet se tashmë janë fshehur brenda rrjetit gjigant të tuneleve nën Gazë, në pritje të sulmit të forcave tokësore izraelite.

KUSH E FINANCON HAMASIN?

Megjithëse është grup mysliman sunit, Hamasi është pjesë e një aleance rajonale së bashku me Iranin, Sirinë dhe grupin islamik shiit Hezbollah në Liban, të cilët së bashku veprojnë kundër politikave amerikane në Lindjen e Mesme e në Izrael.

Bazën kryesore të mbështetjes e ka në Gazë, por Hamas ka mbështetës edhe në mbarë territoret palestineze e drejtuesit e tij janë të shpërndarë në disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Katarin.

Hamas ka marrë financime, armatime e është stërvitur nga Irani, por ka edhe një rrjet financimi global, të cilin e përdor për të marrë mbështetje nga organizatat e bamirësisë dhe vendet që e përkrahin, duke futur para të thata nëpërmjet tuneleve të Gazës apo duke përdorur kriptomonedhat për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se “Hamasi mbledh fonde edhe në vendet e tjera të Gjirit dhe donacione nga palestinezët, diaspora e organizatat e tij të bamirësisë”.

Matthew Levitt, ish-zyrtar amerikan i specializuar kundër terrorizmit, vlerëson se pjesa më e madhe e buxhetit të Hamasit prej mbi 300 milion dollarësh vjen nga taksat ndaj bizneseve, si dhe nga vendet e tjera si Irani e Katari apo nga organizatat bamirëse./Zëri i Amerikës

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48775 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE