FMN: Norma bazë e interesit duhet të rritet në 4.5 pikë përqindje!

vovalbania November 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
FMN: Norma bazë e interesit duhet të rritet në 4.5 pikë përqindje!

Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë rriti  normën e interesit bazë me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar në 3.25%. Që nga marsi i vitit 2022 kur filloi shtrëngimi i politikës monetare si mekanizëm për të luftuar inflacionin, Banka e Shqipërisë e ka rritur normën bazë 6 herë nga niveli minimal historik e që në fillim të 2022-it ishte 0.5%.

Guvernatori Gent Sejko, tha se “presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve ndaj inflacionit është zhvendosur për lart”.

Rritja e normave të interesit pritet të vijojë. Misioni i Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë vizitës së fundit në vendin tonë i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë të çojë normën bazë të interesit në 4.5 pikë përqindje, nga 3 pikë përqindje që është aktualisht, në mënyrë që të arrihet objektivi i inflacionit 3%.

Me rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste, në kushtet e shtrëngimit të tregut të punës dhe me normat reale të interesit ende negative, ka hapësira për rritje të mëtejshme të normës bazë. Një rritje graduale e normës bazë drejt një pozicioni neutral, vlerësuar në rreth 4.5% do të ndihmonte kthimin e inflacionit në objektivin e synuar në fillim të 2025-ës.

Fondi arsyetoi se megjithëse ka pasiguri në lidhje me ecurinë e inflacionit, duhet qasje më elastike që lejon vendimmarrje për rritjen e normës bazë të interesit, takim pas takimi. Pas një rritjeje prej 2.5 në 3%, Banka e Shqipërisë në mënyrë të drejtë ndaloi rritjen e normës bazë në mars, pasi inflacioni nisi rënien, por problematikat që po hasen në prodhimin vendas duket se do të rikthejnë presionin mbi çmimet, ndaj sipas Fondit, “normat e interesit duhet të lëvizin për lart”.

Banka e Shqipërisë ka shpjeguar se forcimi i shpejtë i lekut gjatë këtij viti ka pasqyruar një tepricë konstante valute në tregun e brendshëm, si pasojë e rritjes së shpejtë dhe të fortë të turizmit, investimeve të huaja direkte e remitancave.

Ky faktor ka mundësuar të mbahet një nivel më i ulët i normës bazë të interesit, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kosto më të ulëta financimi e duke lehtësuar barrën financiare mbi kredimarrësit. Pas një tendence rënëse deri në maj 2023, inflacioni nisi të rritet sërish në shtator, duke arritur në 4.1% nga 4% që ishte në gusht./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51125 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE