INTERPOL-i lëshon urdhërarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç!

vovalbania December 07, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
INTERPOL-i lëshon urdhërarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç!

Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL lëshoi urdhërarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator. Për Radion Evropa e Lirë, lajmin e konfirmoi Nenad Rashiç, ministër për Komunitetet dhe Kthimin në Qeverinë e Kosovës.

Ai tha se urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, urdhërarrestet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.

INTERPOL-i i tha Radios Evropa e Lirë se nuk komenton për rastet ose individët specifikë.

Me kërkesë të vendeve anëtare dhe pas verifikimit të pajtueshmërisë, ata lëshojnë të ashtuquajtura njoftime të kuqe.

“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht e ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. REL-i është në pritje edhe të një komenti nga MPB-ja e Kosovës.

Çfarë ndodhi në Banjskë?

Radoiçiç mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, gjetën vdekjen edhe tre sulmues serbë.

Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator, Radoiçiç tha se “personalisht” e  organizoi rebelimin e armatosur në veri të Kosovës. Ai e mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në atë sulm.

Radoiçiç u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u akuzua për disa vepra, përfshirë trafik armësh e shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet.

Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjës lidershipin shtetëror të Serbisë për sulmin që nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa Serbia e mohoi përfshirjen dhe drejtoi gishtin për nga serbët e Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Prishtina do të kërkojë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksionit terrorist në Banjskë”.

Hetimet kanë treguar si mbi 80 terroristë u përfshinë në sulmin e Banjskës.

Mediat në Serbi raportuan se INTERPOL-i ka lëshuar urdhërarreste dhe për 11 persona të tjerë në lidhje me këtë sulm, por REL-i nuk arriti ta konfirmojë informacionin në mënyrë të pavarur. Bazuar në raportin e shefit të Kombeve të Bashkuara, nga tetori i këtij viti, UNMIK-u ndihmoi në lëshimin e 44 urdhërarresteve dhe 12 kërkesave për ekstradim në Kosovë nga vendet anëtare të INTERPOL-it.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50112 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE