“Kathimerini”: Çështja Beleri “bllokada” e parë greke për Shqipërinë drejt BE-së!

vovalbania November 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Kathimerini”: Çështja Beleri “bllokada” e parë greke për Shqipërinë drejt BE-së!

Me titullin “Bllokada e parë greke për Shqipërinë për shkak të çështjes Beleri”, media greke “Kathimerini” shkruan se “Athina “ngrin” perspektivën që Shqipëria të nisë negociatat për grupin e parë të kapitujve të anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Në artikull theksohet se “përshkallëzimi thelbësor i qëndrimit të ashpër ndaj Tiranës për shkak të shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të kryebashkiakut të burgosur të Himarës, Fredi Beleri është vendimi i Greqisë për të mos dhënë pëlqimin tek letra e përbashkët e 27 vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë, që vendi të fillojë negociatat për hapjen e grupit të parë të kapitujve të anëtarësimit.

Edhe pse u gjet një formulë për të çuar përpara negociatat për këtë paketë specifike me Maqedoninë e Veriut, pasi Bullgaria pranoi propozimin e kompromisit të paraqitur nga presidenca spanjolle e Unionit, kjo nuk u bë për Shqipërinë.

Vlen të theksohet se paketa e parë për çështjet themelore që duhet të zgjidhë çdo vend kandidat përfshin pesë kapituj dhe përkatësisht ata që kanë të bëjnë me:

•Gjyqësorin dhe të drejtat themelore

•Drejtësinë, lirinë dhe sigurinë

• Prokurimin publik

• Statistikat

• Kontrollin financiar

Ndër të tjera, “Kathimerini” shkruan se “Athina mund të rishikojë qëndrimin e saj nëse Tirana do të tregojë se ka vend për diskutim dhe jo të ekspozojë një shfaqje force nga ana e zotit Rama, brenda apo jashtë Shqipërisë”.

Në të gjitha nivelet e mundshme, Greqia ka kërkuar që zotit Beleri t’i jepet mundësia për t’u betuar si kryetar i bashkisë së Himarës, gjë që deri tani është refuzuar nga gjykatat shqiptare.

Ndërkohë, burime diplomatike nga Brukseli sqarojnë se në fakt bëhet fjalë për një letër, të cilën e kanë hartuar 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian për Shqipërinë dhe nga ana e saj, Greqia ende nuk ka dhënë pëlqimin. Po ashtu, deri tani, ende nuk ka një referim zyrtar për këtë çështje nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj, si i dyshuar për korrupsion zgjedhor. Ai akuzohet për shit-blerje votash, dy ditë para vendoreve të 14 Majit. Beleri, i cili kandidoi për koalicionin “Bashkë Fitojmë” të Berishës e Metës, i fitoi me rezultat të ngushtë zgjedhjet përballë rivalit socialist. Por, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, ende nuk ka bërë betimin e po përballet me drejtësinë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49405 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE