SHBA kundër luftimeve në spitalet e Gazës: Po rrezikojnë jetën e civilëve!

vovalbania November 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
SHBA kundër luftimeve në spitalet e Gazës: Po rrezikojnë jetën e civilëve!

Shtetet e Bashkuara kërkojnë shmangien e luftimeve brenda spitaleve në Rripin e Gazës, të cilat rrezikojnë jetët e civilëve. Uashingtoni i ka shprehur Izraelit qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, tha të dielën për kanalin televiziv CBS News këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan.

Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin luftime në spitale ku njerëz të pafajshëm, pacientë që marrin kujdes mjekësor, janë bllokuar në mes të zjarrit dhe ne kemi zhvilluar konsultime aktive me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit për këtë”, tha Sullivan në programin televiziv “Face the Nation, të kanalit CBS.

Ushtria izraelite tha se ishte gati të evakuonte foshnjat nga spitali më i madh i Gazës, por zyrtarët palestinezë thanë se njerëzit ishin ende të bllokuar brenda tij, me dy të porsalindur të vdekur dhe dhjetëra të rrezikuar nga një ndërprerje e energjisë elektrike mes luftimeve intensive aty pranë.

Al-Shifa dhe spitalet e tjera në Gazën veriore, objektiva të luftës një mujore të Izraelit për të eliminuar Hamasin dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga militantët, mezi janë në gjendje të kujdesen për pacientët. Çdo ditë ka njoftime për të plagosur nga bombardimet izraelite.

Sullivan tha se sipas të dhënave “Hamasi po i përdor spitalet dhe shumë objekte të tjera civile si qendra komande, për magazinimin e armëve dhe strehimin e luftëtarëve të tij. Kjo është shkelje e ligjeve të luftës”.

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë evakuimin e qytetarëve amerikanë nga Gaza.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se në Shifa janë ende 1.500 pacientë, bashkë me një staf mjekësor prej 1.500 vetash, si dhe me rreth 15.000 deri në 20.000 njerëz të strehuar.

Meqë Shifa dhe spitalet e tjera nuk punojnë më, njerëzit e strehuar në Qytetin e Gazës thanë se nuk kanë më qasje në kujdes intensiv.

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara tha se njëra nga komplekset e saj u godit. Agjencitë e OKB-së nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë shërbime në veri të Gazës tash e disa javë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49565 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE