Shuarja e protestave, shoqëria shqiptare po reagon më pak!

vovalbania November 12, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shuarja e protestave, shoqëria shqiptare po reagon më pak!

Duket se me kalimin e viteve ka ardhur duke u dobësuar reagimi i shoqërisë shqiptare për çështje që lidhen me të përditshmen. Protestat qytetare janë gjithnjë e më të pakta, ndërsa edhe ato pak që zhvillohen, shuhen brenda një kohe të shkurtër, pa arritur të presin për zgjidhje. Këto protesta janë larg atyre që u zhvilluan disa vite më parë, si ajo e studentëve apo për refuzimin e armëve kimike në Shqipëri. Për Top Channel, sociologia Entela Binjaku shprehet:

Në këndvështrimin tim, zakonisht njerëzit në Shqipëri reagojnë në dy mënyra ose me heshtje ndaj një padrejtësie ose kur e ndjejnë që ajo padrejtësi është kryesisht e lidhur me çështjet kombëtare, pra kur tema është jashtëzakonisht e madhe. Pra, aty bëhen bashkë dhe mund të reagojnë. Kështu mund të shpjegohet reagimi ndaj armëve kimike.

Mes atyre protestave që shohim të ndodhin, vihet re mungesa e të rinjve, duke treguar indiferentizëm ndaj çështjeve që prekin secilin prej nesh, si në aspektin ekonomik, ashtu dhe në atë social e shëndetësor.

Format e protestës qytetare, ne i shikojmë të mangëta në radhët e të rinjve sepse ata nuk kanë besim te institucioni i protestës. Mungon edukimi që në vegjëli me konceptin e reagimit ndaj padrejtësisë dhe po ashtu mendoj që janë më shumë të edukuar drejt individualizmit gjë që i bën më indiferentë. Po ashtu, nuk shikojnë as nga grupmoshat e tjera ndonjë model që t’iu jepet shembulli që përmes protestës gjendja ndryshohet.

Politika shihet si një nga faktorët që ka çuar drejt shuarjes së frymës për protesta, duke i thirrur qytetarët për t’u mbledhur jo për interesa të shoqërisë, por për interesa të politikanëve.

Politika i ka tejpërdorur aq shumë njerëzit, sa tani e kanë humbur kuptimin e të protestuarit dhe në këtë mënyrë, se si njerëzit janë thirrur herë pas here me halle, pa halle, me mundësi, pa mundësi, e kanë ndjerë veten si të përdorur. E për këtë arsye, mendoj që të reagojnë për diçka të vetën e kanë të vështirë.

Në kohët e sotme, rrjetet sociale janë kthyer në formën më të përhapur të protestës, ku pakënaqësitë apo revoltën e tyre, qytetarët i shprehin me statuse apo komente. Edhe pse të shumtë në numër në botën virtuale, në realitet nuk arrijnë të bëhen së bashku.

Mënyra si jemi mësuar si shoqëri ku gjithmonë kërkojmë të kemi një prijës rreth të cilit të grumbullohemi dhe në rastet kur kjo figurë mungon, është i vështirë organizimi./Top Channel 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48808 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE